Përfaqësuesi rus në OKB dezinformon për Kosovën: Nëse nuk i ndalojmë shqiptarët, Ballkani hyn në
Nasim Haradinaj në Hagë: Këtu ende shoh dokumente që shkruajnë “Kosova Metohija”
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka filluar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai ka thënë se janë për zbulimin e të gjitha krimeve por kundërshtojnë që kjo të bëhet duke selektuar njerëzit dhe me një gjykatë që sipas tij është njëetnike.
Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se është shqetësuese që Prokuroria speciale në Hagë të ketë referencë kriminelët serbë.
“Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve pa marrë parasysh kush i ka kryer, të gjitha, ama jo të specifikohen dhe selektohen sepse në Kosovë ka edhe serbë që kanë jetuar, ka romë, ka boshnjakë, ka turq, shumë nacionalitete…”, ka thënë Haradinaj.
Derisa është përgjigjur në pyetet e avokatit mbrojtës, Toby Cadman, Haradinaj ka thënë se përmes UÇK-së, prokuroria është duke e sulmuar Kosovën.
“Unë edhe dokumente sot shoh të përkthyera në tekst ‘Kosova Metohia’ që në Kosovë është e ndaluar, Kosova është shtet i pavarur, ndërsa në dokumentet e tyre përkthehet edhe në anglisht edhe në shqip fjala ‘Kosova Metohia’ që është e ndaluar me ligj, e kjo nëse është gjykatë e Kosovës ajo fjalë nuk duhet me qenë këtu hiç, por këtu është”, ka thënë Haradinaj.
Nasim Haradinaj ka thënë se Prokuroria e Speciales e ka provokuar qëllimshëm Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Mua nuk më brengos fati personal, as i imi, as i kurrkujt nëse individualisht përgjigjem për diçka dhe duhet të përgjigjem nëse e kam bërë, por jo me këtë të na sulmoni diku më keq që pastaj me u bë pishman edhe bota pse na paska ndihmuar. Këtu është esenca për çka unë është dashur të jem transparent dhe ka qenë në interes të shërbimit publik, kjo është esenca jonë e kundërshtisë, që është monoetnike, selektive dhe arbitrare…
Vazhdimisht ka krijuar precedent që ne të reagojmë, sikur të kemi dashur ta bëjmë me qëllim, sikur kur kemi pushuar ne pas thirrjeve, këta nisën precedentin tjetër, në njëfarë mënyre na kanë provokuar qëllimisht dhe ne nuk kemi mundur me qëndruar aty si naiv”, ka thënë ai.
Para trupit gjykues, Haradinaj ka përmendur thirrjet që Specialja u bënte personave në Kosovë të cilat, sipas tij, nuk ishin legjitime, meqë përdoreshin metoda jo të zakonshme për t’u dërguar festat atyre.
Sipas tij, kjo ka bërë që puna e kësaj gjykate të kundërshtohet në vazhdimësi.
Ndërsa nga gjykatësi është kërkuar që të mos përmenden emra të cilat ndodhen në dokumentet e konfiskuara në OVL-UÇK dhe Nasim Haradinajt i janë dorëzuar në formë të shkruar disa emra për të cilët i është kërkuar të përgjigjet pa u zbuluar identiteti i tyre.
Ai është ndalur të një person me numrin dy, për të cilin ka thënë se ka qenë i ngarkuar me detyrë të veçantë nga Millosheviqi dhe se i njëjti ka parë ekzekutimet e shqiptarëve në Kosovë.