Balenat e spermës janë parë duke përdorur armën e tyre të fundit kundër orkave sulmuese:
Kurti i përgjigjet Sekretarit amerikan: Mezi pres të punojmë së bashku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur letrën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se mezi pret të punojnë së bashku.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një letër dërguar Kurtit ka thënë se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që Kosova të mbështetë zotimet paraprake.
Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.
Ndërsa, kryeministri duke mirëpritur, letrën e Sekretarit Blinken, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se “Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke.
“Unë e mirëpres letrën e Sekretarit Blinken dhe mbështetjen e tij për prioritetet tona në punësim dhe drejtësi. Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke.
Mezi pres të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti.
Kjo është letra e plotë e Sekretarit amerikan, Anthony Blinken që i ka dërguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova gëzojnë një marrëdhënie që është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur. Duke i strehuar me zemërgjerësi afganët që janë në pritje të rivendosjes, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten. Në mënyrë të ngjashme,vendosja e përbashkët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt, vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.
Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin me padurim të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e përcaktuar nga Presidenti Biden për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.
Natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbetet një pengesë e madhe për anëtarësimin e plotë të Kosovës dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike, një synim që Shtetet e Bashkuara e ndajnë me ju. Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim.
Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e nevojshme. E inkurajoj interesimin tuaj për arritjen e marrëveshjeve për energjinë elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës.
Zbatimi i vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit.
Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta.