Opozita të enjten në Kuvend kundërshton shtrenjtimin e rrymës
Partitë opozitare kanë vendosur që të kundërshtojnë propozimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë elektrike si dhe vendimin e Qeverisë për ndarjen e 75 milionë eurove si subvencionim për harxhimet e rrymës.
PDK, LDK dhe AAK janë të mendimit se propozimi i ZRRE-së erdhi si pasojë e keqqeverisjes dhe menxhimit të dobët të situatës.
Nga Parlamenti e në rrugë, opozita paralajmëron kundërshtimin e shtrenjtimit të rrymës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur skandaloz propozimin për shtrenjtimin e rrymës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se do të kundërshtojnë paralajmërimin e sotëm të Qeverisë sa i përket propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të rrymës elektrike.
Abdixhiku ka thënë se presin që çdo deputet I përgjegjshëm në Kuvend ta kundërshtojë këtë vendim, duke thënë se nuk mund ta lejojnë një dëm të tillë.
“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjëtim të energjisë.
Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai tha se ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës.
“Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatē energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”.
Edhe Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë.
Hoxha e ka cituar Kurtin në një deklarim të tij më parë për ketë temë ku mes tjerash kishte thënë, “ose do të kemi reduktime ose rritje të çmimeve”.
“Kurti mes tjerash tha: ose do të kemi reduktime ose rritje të çmimeve. Sot i kemi të dyja: edhe reduktime, edhe rritje të çmimeve”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e saj në Facebook.
Kundër shtrenjtimit të çmimit të rrymës është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryesia e AAK-së ka vlerësuar se rritja e çmimeve në këtë kohë është e patolerueshme. Përderisa veriu i vendit nuk paguan fare për energjinë, është e padrejtë rritja enorme e çmimeve për pjesën tjetër të qytetarëve, ku goditën amvisëritë dhe bizneset.
Gjithashtu, Kryesia kërkoi që të shqyrtohet mundësia e organizimit të protestave për te kundërshtuar shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës elektrike.
Aleanca ka përkrahur dhe do të lobojë vazhdimisht për miratimin e ligjit për donacionet për Ushtrinë, ku do të jepet mundësia që qytetarët, brenda vendit apo në diasporë, do të kenë mundësinë e dhurimit të mjeteve financiare për zhvillimin e Ushtrisë.
Kryesia e AAK-së, ka krijuar grupet punuese për monitorimin e zgjedhjeve të brendshme partiake, në të gjitha nivelet. Poashtu, janë formalizuar edhe udhëheqësit apo koordinatorët e departamenteve, Seksionit për strategji dhe analizë, Forumit Ekonomik dhe zyrave profesionale.
LEXO EDHE KËTË: