Miratimi i ndihmës nga SHBA ‘trimëron’ Kievin, ministri ukrainas thirrje për luftë: Epoka e paqes
Hakerët sulmojnë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, vidhen të dhënat e viktimave të luftës
Hakerët i kanë vjedhur të dhënat personale të më shumë se gjysmë milioni njerëzve të ndjeshëm, pasi e sulmuan sistemin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Organizata humanitare, e cila merret me viktimat e luftës, të zhdukurit dhe të ndaluarit në vende të ndryshme të botës, tha se ka qenë viktimë e një sulmi të sofistikuar kibernetik, shkruan BBC.
Nuk është e qartë se kush qëndron prapa këtij sulmi, por organizata bëri thirrje që kushdo që i ka marrë të dhënat të mos i publikojë ato ose të mos i ndajë me të tjerët.
Organizata tha se të dhënat konfidenciale të rreth 515.000 personave – shumë prej të cilëve viktima të ndjeshme të luftës – janë marrë. Të dhënat vinin nga më shumë se 60 seli të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe përreth botës.
Grupi me seli në Gjenevë tha se hakerët e kanë vënë në shënjestër një kompani të jashtme në Vjenë, të cilën Kryqi i Kuq Ndërkombëtar e përdorte për ruajtjen e të dhënave.
Nuk ka shenja se të dhënat e vjedhura janë publikuar, por Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u detyrua që ta çaktivizonte sistemin që e përdor për ribashkimin e famijeve të ndara nga lufta.