Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Gjysmë lakuriq dhe me pranga në duar, momenti i arrestimit të Nuredin Dumanit
Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga momenti i arrestimit të personit të shumëkërkuar Nuredin Dumani, i cili u gjet i plagosur në një apartament në Fier. Siç shihet edhe nga pamjet, Dumani ka qenë gjysmë lakuriq, i shtrirë në krevat, ndërsa ishte i plagosur.
Menjëherë pas arrestimit, Dumani është dërguar për mjekim në spitalin Rajonal të Fierit, dhe më pas drejt Traumës në Tiranë.
Dumani besohet se ka lidhje edhe me ngjarjen që ndodhi rreth orëve të pasdites, ku në Elbasan, u gjet një mjet tip “BMW” i bërë shoshë nga plumbat, ku thuhet se ka ngelur edhe i plagosur.
Brenda mjetit u gjet gjithashtu 1.5 litra benzinë dhe një karikator i mbushur. Paraprakisht për këtë rast dyshohet se do të zhvillohej një krim, ndërsa është parandaluar pak para se të ndodhte. Vlen të përmendet se Dumani është një emër i njohur i drejtësisë.
Ai dyshohet për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, si dhe katër të rinjve në Durrës. Këto ngjarje kanë ndodhur në vitin 2020.
DETAJE NGA POLICIA
Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në orën 1:00 të mëngjesit të së mërkurës. Nano ka dhënë detaje nga arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani si dhe të një personi tjetër që ndodhej bashkë me të në momentin e arrestimit.
Deklarata e plotë e Nanos:
Mbrëmjen e datës 29 mars 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Arratia”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar i dyshuar për disa vrasje.
Më datë 29 mars 2022, rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, si rezultat i punës profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, u bë lokalizimi dhe kapja e një prej personave më të kërkuar sot në vendin tonë, Nuredin Dumani.
Në finalizimin e operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Elbasanit u angazhuan forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.
Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet e u sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Grupi Hetimor.
Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.
Sqarojmë se më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar.
Pas marrjes djeni për ndodhjen e kësaj ngjarjeje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale dhe ndjekjes në një kohë shumë të shpejtë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u arrit të lokalizohej dhe kapej shtetasi Nuredin Dumani.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.
Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekeustruar nga Policia e Elbasanit).
Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion të cilët prej disa muajëve kanë punuar me intensitet e përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave shumë të kërkruar.
Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer e profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit.
Ndërkohë Nano tha se hetimi vazhdon për të gjithë ngjarjen dhe nuk mund të japë detaje mbi hetimin.
Lidhur me ngjarjen foli dhe Prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili tha se ngjarja është ende nën hetim.