Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Kurti për “Le Monde”: Lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë janë shumë të thella, Kosova e rrezikuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për prestigjiozen franceze “Le Monde” ku ka folur për shqetësimin e Kosovës sa i përket lidhjeve të forta në mes të Serbisë dhe Rusisë. I pyetur përse e shqetësojnë lidhjet mes Serbisë dhe Moskës, Kurti ka thënë se Beogradi dhe Moska janë të lidhur shumë më fortë nga sa e imagjinojnë njerëzit, dhe se kjo lidhje e tyre është në të gjitha fushat, duke përmendur ‘Gazpromin’, ‘Sputnikun’ dhe lidhjet e inteligjencës ruso-serbe.
“Gazprom zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të kapacitetit të depozitimit të gazit. Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht.
Për sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit. Ekziston edhe kjo shifër marramendëse: 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë (60% e deputetëve) i përkasin grupit të miqësisë serbo-ruse. Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon dymbëdhjetë persona”, tha Kurti për “Le Monde”.
Kurti shtoi se fatkeqësisht edhe në Kosovë ka organizata të së djathtës ekstreme serbe që njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë. Kurti theksoi se Kosova është e shqetësuar, pasi duket qartë se Putin tenton ta përhapë luftën e tij edhe më tej.
“Vërej se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në 1999], tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër. Mund ta quajmë një pushtim rus, ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm”, ka shtuar Kurti.