Jasharaj: Kurti, është turp të qëndrosh në Amerikë e të mos dalësh para neve
Nën organizimin e SBASHK-ut, punonjësit e arsimit kanë zhvilluar sot një protestë në Prishtinë, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Pagat.
Përveç Ligjit për paga, kërkesat e sindikalistëve ishin edhe zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale.
Kreu i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se Qeveria nuk po dëshiron dialog. Ai paralajmëroi veprime më të rënda sindikale pas kësaj porteste.
“Qeveri, këta janë njerëzit tuaj. Është trup që të qëndroni në Amerikë e të mos dilni para këtyre njerëzve që presin në diell. Lutemi të këndelleni, në të kundërtën pas kësaj proteste madhështore do të ketë edhe veprime më të rënda të cilat ne nuk i duam, por si duket i doni. Ne e duam Ligjin e Pagave, por jo Ligj që na punon dikush, por që e punojmë edhe ne”, u shpreh ai.
Si pasojë e protestës, të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, sot në institucionet arsimore nuk po zhvillohet procesi mësimor.