Çfarë parasheh Marrëveshja 200 milionëshe e Kosovës me MCC-në?
Përmes programit ‘’Kompakt’’ të MCC-së, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro në sektorin e energjisë. Ky program sipas ekspertëve të energjisë dhe ekonomisë duket se do të sjellë përfitime shumë dimensionale. E nëse implementohet suksesshëm, Kosova do të ketë ndër kapacitetet më të mëdha të baterive në Evropë.
Procedurat për marrjen e grantit nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit nisën në mars të këtij viti. E vlera e tij arrin deri në 200 milionë euro.
Këto para destinacion kanë investimet në sektorin e energjisë elektrike. Por krahas kësaj marrëveshja shtetit të Kosovës do i sjell edhe përfitime tjera.
“Përfitimet të themi realisht do të jenë shumë dimensionale, fillimisht në akumulimin e energjisë dhe uljen e kostos së importit, respektivisht edhe uljen e kosotove për ekonomitë familjare dhe ato biznesore. Së dyti do të jetë një investim në modernizimin e teknologjisë”, tha ekonomisti Besnik Avdijaj.
Sistemin e baterive në Kosovë e sheh të mirëseardhur edhe eksperti i energjetikës, Lulzim Syla.
“Rritja e kapaciteteve të reja të burimeve të ripërtërishme vjen me një kohë të duhur, jemi në rrugë të duhur për shkak që edhe regjioni nuk qëndron më mire. Përkundrazi nëse ne implementojmë suksesshëm këtë process i bie që të jemi ndër kapacitetet më të mëdha të baterive në nivel Evrope dhe kjo është një fakt shumë i rëndësishëm për neve”, tha Syla.
Programi Kompakt do të jetë në vlerë prej 234 milionë dollarëve dhe do të përfshijë dy projekte: Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 MWh) dhe zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.