Turqia: Tri anije të tjera gruri pritet të nisen nga portet e Ukrainës të premten
Tri anije që transportojnë drithëra dhe ushqime pritet të nisen nga portet ukrainase të premten, sipas një marrëveshjeje historike të fundit, ka njoftuar të enjten zyrtari më i lartë i mbrojtjes i Turqisë, shkroi Anadolu Agency.
“Me punën intensive të Qendrës së Përbashkët të Koordinimit, tri anije janë planifikuar të nisin nesër nga portet e Ukrainës në kuadër të dërgesave të grurit”, ka thënë ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, për AA-në.
Akar ka shtuar se një anije bosh pritet të mbërrijë në Stamboll, ku ndodhet Qendra e Përbashkët e Koordinimit, për inspektime përpara nisjes për në Ukrainë.
Turqia, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen historike më 22 korrik për të rihapur tre porte ukrainase, Odesan, Chernomorskun dhe Yuzhnyn, për drithërat që kanë ngecur për muaj të tërë për shkak të luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.
Akar theksoi se ata vazhduan të punojnë me zyrtarë rusë, ukrainas dhe të OKB-së për funksionimin normal të sistemit sipas marrëveshjes.
Të hënën, anija e parë që u largua nga Ukraina sipas marrëveshjes, u nis nga Odesa duke transportuar mbi 26,500 ton misër, mori leje sigurie në Stamboll dhe është rrugës për në portin libanez të Tripolit, i cili është edhe destinacioni i saj përfundimtar.
© KOHA.