Gjurmët magnetike të gishtërinjve të vrimës së zezë të Rrugës së Qumështit u zbuluan në
Petkoviq e Vulin ofendojnë Bislimin
Deklarata e fundit e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka nxitur reagime të ashpra në Beograd.
Bislimi, në një intervistë të mbrëmshme për RTK2, mes tjerash ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takime private në Bruksel thotë se “e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë”.
Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë kjo deklaratë e Bislimit “paraqet gënjeshtrën më flagrante” që ai mund ta thotë.
Bislimi, siç thotë Petkoviqi, “vazhdon të shkëlqejë në gënjeshtrat e tij”, dhe deklarata e tij “nuk është vetëm gënjeshtra më e paturpshme që ka thënë, por edhe kulmi i hipokrizisë së tij, të cilën e përdor gjatë gjithë kohës në procesin e dialogut”.
“Duket se Bislimi në të gjitha deklaratat e tij, duke përfshirë edhe këtë të fundit, po niset nga vetvetja, e cila prej kohësh është përcaktuar në psikologji si vetëprojeksion, në fakt Bislimi është ai që premton gjithçka dhe çdo gjë në Bruksel, por kjo është çështje që duhet të jetë më me interes për publikun në Prishtinë”, thotë Petkoviqi, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, “absurditeti i deklaratave të Bislimit” është parë më së miri kur, sipas Petkoviqit, “ai u mburr në Twitter se zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës e ka mirëpritur hyrjen e Prishtinës në këtë institucion”, gjë që, shton më tej Petkoviqi, “z. Bjorn Berg e ka mohuar personalisht”. Kjo, sipas tij, “flet shumë për besueshmërinë e asaj që thotë Bislimi”.
“Nuk ka dyshim se Bislimi shpesh shpreh atë që do të dëshironte të dëgjonte, por e vetmja e vërtetë që presidenti Vuçiq e përsërit qartë dhe pa mëdyshje është se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë dhe gjithmonë mbron fuqishëm qëndrimin e Beogradit dhe popullit serb, prandaj delegacioni i Prishtinës gjithmonë kthehet nga negociatat ‘me hundë të çuara’”, deklaroi Petkoviqi.
Ai tha se “është më mirë që kryenegociatori i palës prishtinase të punojë për formimin e Asociacionit të komunave serbe, për të cilën u angazhua në Bruksel para delegacionit serb, por edhe para zotit Lajçak, sesa për të bërë gafa të tilla pa turp para komunitetit vendas dhe ndërkombëtar”.
Edhe Vulin lëshohet në ofendime
Besnik Bislimi është kthyer në temë të ditës nga politikbërësit në Serbi, dhe gjithçka nisi nga intervista e tij e mbrëmshme në RTK2.
Aty, zëvendëskryeministri i Kosovës, mes tjerash tha se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq “në takime private në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë”.
Reagim pati menjëherë nga pala serbe. I pari ishte drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, i cili e quajti “gënjeshtar” e çka jo tjetër, raporton Klankosova.tv.
Pas tij, radha i erdhi vartësit tjetër të Vuçiqit, ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Duke përdorur termin pezhorativ ndaj shqiptarëve si “shiptari”, Vulini tha: “Shiptarët vetëm mund ta urrejnë Vuçiqin, ai nuk do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë”.
“Kam qenë me Aleksandar Vuçiqin që nga dita e parë e dialogut të Brukselit. Që atëherë e deri më sot, gënjeshtarë të ndryshëm, serbë dhe shiptarë, si Bislimi, thonë se Aleksandar Vuçiqi e ka njohur apo do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë. Kanë kaluar 10 vite dhe e ashtuquajtura Kosovë ka më pak njohje sesa kur Serbia drejtohej nga Tadiqi dhe Jeremiqi”, thuhet në njoftimin e Vulinit, raporton mediumi serb N1.
Ai shton se “ka qenë dëshmitar i kërcënimeve dhe shantazheve të egra”.
“Dëgjova njerëzit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian teksa kërcënojnë Aleksandar Vuçiqin me zhdukje politike dhe lënë mundësinë edhe të zhdukjes biologjike. Unë jam dëshmitar se serbët në delegacionin tonë u frikësuan dhe hezituan dhe se Aleksandar Vuçiq ishte ai që e pengoi të ashtuquajturën Kosovë të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Aleksandar Vuçiqi nuk do ta njohë kurrë të ashtuquajturën Kosovë dhe këtë e dinë serbët, këtë e dinë edhe të huajt, këtë e di edhe unë që kam qenë bashkëluftëtar i tij gjatë gjithë këtyre viteve dhe shiptarët e dinë në veçanti, prandaj e sulmojnë dhe e urrejnë aq shumë. Dhe, ata vetëm mund ta urrejnë, ai nuk do ta njohë të ashtuquajturën Kosovë”, ka thënë Vulini.