Arrestohet një person dhe i sekuestrohen 107 kilogramë të dyshuar Marihuanë
Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin M.P. (1991) shtetas i Serbisë, të cilit i ka gjetur 107 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit Marihuanë, të cilën e kishte fshehur në rezervuarë të derivateve
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është ndaluar me një kamion “Iveco” me targa të huaja mbrëmë rreth orës 22:40 nga policia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor.
“Në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit Marihuanë.
Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë.
Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë”, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse.