Veprimet e autoriteteve lënë për të dëshiruar, jemi dy ditë para sfidës me Izraelin

Çejku: Takimi i nesërm në Ambasadën Amerikane, për të shmangur Kurtin
Ish-ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku, në emisionin ResPublika me Zijadin Gashin, ka thënë se takimi i nesërm i organizuar nga ambasada e ShBA-së për të diskutuar rreth Asociacionit, është shmangie nga bisedimet me kryeministrin Albin Kurti.
“Unë mendoj që vet organizimi i një takimi, formati i takimi që do të mbahet nesër është një lloj shmangie nga bisedimet me Kurtin. Në gjuhë diplomatike tregon se ata i qëndrojnë asaj që kanë thënë se, nëse Kurti nuk e bën, ka të tjerë që e bëjnë”, ka thënë ai.
Çejku ka thënë se në këtë situatë, Kurti gjendet para një dileme hamletiane.
“Kurti e di shumë mirë dhe ndoshta ai është në rrethanat e një dileme hamletiane se si do ta menaxhojë këtë sepse ndjehet që nuk është plotësisht i mbështetur nga të gjithë faktorët. Edhe gjuha e opozitës, e partive të opozitës dhe faktorëve të tjerë mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe ai nuk e di sa do të jetë i mbështetur deri në fund të kësaj beteje”, ka shtuar ai.
Tutje ka shtuar se është koha që Kurti të japë prova të një lidershipi duke ruajtur miqësinë me ShBA-në
“Larg qoftë që të mendohet se Kosova të nis të ketë një betejë me ShBA-në, do të ishte gjëja më e gabuar, por unë mendoj se Kurti e ka të gjithë kohën në dispozicion për të gjetur një rrugëdalje, duke ruajtur kredibilitetin e vet politik, duke ruajtur itneresast e Kosovës por edhe miqësinë me ShBA. Prandaj është edhe lider, kryeministër dhe ka përgjegjësinë për ta bërë këtë hap. Sot ka ardhur koha që z. Kurti të japë prova të një lidershipi”, u shpreh diplomati shqiptar.
Po ashtu ka thënë se marrëveshjet mbesin obligime, pavarësisht se kush vie në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Shteti tregon pjekuri kur i zbaton marrëveshjet e nënshkruara. Pasi u nënshkrua marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë u krijua ideja e gabuar se pas ardhjes se Biden do të ketë qasje tjetër. Por si erdhi ai tha se Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar. Marrëveshjen nuk duhet të zbatohen vetëm njëanshmërisht apo copëza të saj”, ka thënë Çejku.