Begaj kërkon nga Vatikani njohjen e pavarësisë së Kosovë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka kërkuar nga Vatikani njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai këtë kërkesë e ka bërë në takimin ku priti Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Arqipeshkvin Paul Richard Gallagher.
Begaj ka vlerësuar rolin e Vatikanit për paqen de stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë takimit vlerësova rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka luajtur dhe luan Selia e Shenjtë për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ritheksova kërkesën time për njohjen nga ana e Shtetit të Vatikanit të Shtetit të Kosovës, njohje që do të shërbente si një mbështetje shumë e madhe për shtetin më të ri në Evropë”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Ai ka thënë se vizita e Imzot Gallagher në Shqipëri është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, por edhe atyre shpirtërore midis komunitetit katolik shqiptar dhe Selisë së Shenjtë.