Miratimi i ndihmës nga SHBA ‘trimëron’ Kievin, ministri ukrainas thirrje për luftë: Epoka e paqes
Situata në veri – Pamje
16:55 – Tensione në Zveçan, protestuesit serbë s’i binden KFOR-it për t’u shpërndarë
Situatë e tensionuar është duke u zhvilluar në komunën e Zveçanit. Pjesëtarët e KFOR-it të cilët që nga mëngjesi janë pranë objektit të komunës kanë paralajmëruar protestuesit për tu shpërndarë të qetë.
Ekipi i KALLXO.com i cili po qëndron në Zveçan po raporton se protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të KFOR-it për tu shpërndarë.
Protestuesit kanë gjuajtur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Raportohet se ushtarë të KFOR-it janë ndihmuar nga kolegët e tyre, pasi kanë pësuar lëndime nga gazi lotsjellës.
16:52 – Tensionet në veri – Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it
KALLXO.com mëson se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it në Qeveri.
Takimi është duke vazhduar. Edhe protestat e qytetarëve serbë të Kosovës janë duke vazhduar në veri të vendit.
Atje janë të pranishëm edhe KFOR-i dhe Policia e Kosovës.
16:47 – Pas paralajmërimit, KFOR-i shpërndan protestuesit në Zveçan
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.
“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it raporton Radio Evropa e Lirë.
16:44 – Ambasadorët e QUINT-it në zyrë të Kurtit
KALLXO.com mëson se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Qeveri.
Takimi është duke vazhduar.
KALLXO.com do të ju mbajë të informuar në lidhje me takimin.
16:39 – Gurë e gaz lotsjellës në drejtim të trupave të KFOR-it në Zveçan
Protestuesit në Zveçan kanë hedhur gurë e gaz lotsjellës në drejtim të ushtarëve të misionit të NATO-s KFOR në Zveçan.
Gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj raporton nga vendi i ngjarjes, se ka në vazhdimësi shpërthime, gjuajtje me gurë, shishe dhe shok bomba.
16:30 – Protestuesit nuk lejojnë largimin e autoblindave në Zveçan
Protestuesit serbë janë ulur në rrugë, po e kundërshtojnë largimin e dy autoblindave.
Në autoblindë është vendosur paraprakisht flamuri i Serbisë.
15:59 – KFOR-i monitoron situatën në Zveçan nga ajri
Përderisa situata vazhdon të jetë e njëjtë, qytetarët ende gjenden në grup pranë komunës së Zveçanit, misioni i NATO-s – KFOR, ka monitoruar situatën edhe nga ajri.
Një helikopter është parë duke monitoruar situatën nga lart.
Ekipet të KFOR-it vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës, përderisa shumica e zyrtarëve policorë të Kosovës gjenden brenda në ndërtesën e komunës.
15:48 – I vihet flaka veturës së Tëvë 1 në Zubin Potok
Persona të panjohura i kanë vënë flakën veturës së ekipit të gazetarëve të Tëvë 1 në Zubin Potok. Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Disa minuta më herët ky televizion njoftoi se veturës së Tëvë 1 iu kishin thyer dritaret dhe iu kishin shpërthyer gomat.
AGK i ka quajtur sjellje të papranueshme ndërsa u ka bërë thirrje NATO-së dhe EULEX-it të reagojnë sa më parë ndaj sulmeve ndaj gazetarëve në komunat në veri.
15:31 – Thyhet vetura e TëVë 1 në Zubin Potok
Vetura e ekipit të gazetarëve të TëVë 1 është dëmtuar të hënën në Zubin Potok nga persona të panjohur.
Veturës i janë thyer dritaret dhe i janë shpërthyer gomat. Këtë e kanë bërë të ditur nga ky televizion, duke publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes.
Sot gjatë ditës pas tensionimit të situatës në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, janë raportuar disa raste kur ekipeve të gazetarëve në terren u janë dëmtuar veturat dhe janë sulmuar.
Ekipit të KALLXO.com i cili po qëndron në Leposaviq i është dëmtuar vetura.
Veturës i janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Për këtë prokuroria ka nisur hetime.
Gjithashtu është raportuar se gazetari i medias online, Periskopi është tentuar të sulmohet fizikisht nga dy persona të panjohur.
Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE
15:22 – Zveçan – Protestuesit vendosin flamurin e Serbisë në autoblindën e Policisë së Kosovës
Protestuesit në Zveçan kanë vendosur flamurin serb në njërën nga autoblindat e Policisë së Kosovës e cila ka mbetur e bllokuar në turmën e protestueseve në këtë komunë.
Autoblinda në të cilën është vendosur flamuri është pranë objektit të Komunës së Zveçanit.
Ndërsa pak minuta më parë është dëgjuar një shpërthim në Zveçan. Dyshohet se kjo ka ardhur si pasojë e shpërthimit të gomës së një autoblinde të Policisë së Kosovës, raporton gazetarja e KALLXO.com Shkodrane Dakaj nga vendi i ngjarjes.
Pamjet nga Zveçani:
14:50 – Denoncohet rasti i dëmtimit të veturës së KALLXO.com në organet e drejtësisë
Ekipi i KALLXO.com i përbërë nga Adelinë Ahmeti, gazetare dhe Afrim Ejupi, kameraman, ka paraqitur rastin e dëmtimit të veturës në komunën e Leposaviqit.
Persona të panjohur sot gjatë ditës dëmtuan veturën e ekipit të KALLXO.com dhe të RTV Dukagjini, derisa ato ishin të parkuara.
Policia e Kosovës ka hapur rastin dhe me urdhër të Prokurorisë ka nisur hetimet për dëmtim prone dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Ky nuk ishte rastri i vetëm i sulmit ndaj gazetarëve.
Një veturë e televizionit nga Shqipëria, Top-Channel u dëmtua ndërsa ekipi i portalit “Periskopi” u sulmua.
Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE
14:36 – Leposaviq – Protestuesit gjuajnë shkrepsa e shishe në drejtim të KFOR-it amerikan
Protestuesit në Komunën e Leposaviqit janë duke gjuajtur me pelena fëmijësh në drejtim të KFOR-it amerikan që gjendet aty.
Drejt tyre Ekipi i KALLXO.com ka parë që janë gjuajtur herë pas herë shkrepsa dhe shishe.
Protestuesit kanë gjuajtur me vezë edhe veturat zyrtare të Policisë së Kosovës të cilat ndodhen afër objektit të Komunës në Leposaviq.
14:35 – Tensionet në veri, deklarohet kryeministri Kurti
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se situata në veri të vendit duhet të qetësohet dhe të zbatohet Marrëveshja Bazë në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka shkruar në Twitter se ka biseduar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani dhe se janë pajtuar që të dy për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe qetësimin e situatës në veri.
”Pati një bisedë telefonike me DPM&MPJ të Italisë Antonio Tajani më herët sot. Të dy ramë dakord se koha thërret që të zbatohet Marrëveshja Bazë dhe të qetësohet situata në veri”- ka deklaruar Kurti.
14:19 – Gazetarët nuk u evakuuan në Zveçan
Gazetarët që gjenden në komunën e Zveçanit nuk janë evakuuar nga Policia e Kosovës, siç raportuan disa media gjatë ditës.
Siç mëson KALLXO.com, vetë gazetarët kanë kërkuar për shkak të qasjes në energji elektrike dhe internet, të futen në objektin e Komunës së Zveçanit.
Këto informacione i kanë konfirmuar edhe organet e forcave të rendit.
Ndërkohë, në komunën tjetër, në Leposaviq, veturat e ekipit të gazetave të KALLXO.com, RTV Dukagjini dhe Top-Channel u dëmtuan. Po ashtu, një koleg nga media “Periskopi” u sulmua nga persona të panjohur.
14: 17 – Sulmohet ekipi i Periskopit në Zveçan
Dy persona të maskuar kanë tentuar të sulmojnë ekipin e portalit Periskopi, sot në Zveçan.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka publikuar një fotografi ku shihet se bluza e një pjesëtari të ekipit të Periskopit është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili thotë se fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Sot është raportuar edhe për tri sulme të tjera të protestuesve serbë në veri ndaj veturave të mediave.
AGK është shprehur shumë e shqetësuar me situatën e krijuar për mediat dhe gazetarët që po raportojnë nga komunat veriore. Asociacioni u ka bërë sërish thirrje NATO-s dhe EULEX-it që të sigurojnë gazetarët dhe t’u mundësojnë raportim pa u penguar.
“Njëherësh, AGK-ja, rekomandon që kolegët t’i dëgjojnë rekomandimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje” – ka shkruar AGK.
Sot në veri janë sulmuar edhe veturat e KALLXO.com, RTV Dukagjinit dhe Top Channel.
14: 10 – Tensionet në veri – Momenti kur personi i maskuar dëmton veturën në Zveçan
13:51 – Sulmohet edhe vetura e Top Channel në veri
Vetura me të cilën kanë udhëtuar dy mediat nga Shqipëria, Top Channel dhe Euronews Albania është sulmuar sot në Zveçan.
Kështu ka njoftuar kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha i cili ka qenë bashkë me këto dy ekipe.
“Vetëm 20 metra larg një legjioni ushtarësh të NATO-s, makina me të cilën po udhëtoja me ekipet e Top Channel dhe Euronews Albania është sulmuar, spërkatur dhe i janë hequr targat në Zveçan” – ka shkruar Rexha në “Twitter”.
Ai ka publikuar edhe tri fotografi ku shihet gjendja e makinës dhe persona të maskuar në prapavijë, për të cilët ka thënë se është “turmë e maskuar duke i sharë ata”.
13:09 – Tensionet në veri, reagon zv/ministri i Punëve të Jashtme
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka reaguar pas tensioneve në veri të vendit.
Ahmeti ka thënë se strukturat ilegale të Beogradit po kërkojnë të kthehen drejt Rusisë duke theksuar se kjo po ndodh përderisa Kosova po përparon në reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit.
“Përderisa Kosova po përparon në reformën në drejtësi, demokracinë dhe sundimin e ligjit, motivet dhe qëllimet e strukturave ilegale të dhunshme të Beogradit në veri të Kosovës janë të qarta. Ata po kërkojnë të pamundurën: të kthehen në kohë dhe drejt #Rusisë”- ka deklaruar Ahmeti në twitter.
12:58 – AGK reagon pasi veturat e KALLXO.com dhe RTV Dukagjini u dëmtuan në veri
Asociacioni i Gazetareëve të Kosovës ka dënuar dëmtimin e veturave të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini.
Përmes një reagimi në Facebook, AGK kërkoi nga organet ligjzbatuese kujdes të shtuar për të u siguruar punë të sigurt gazetarëve në raportim nga veriu.
“AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”- thuhet në reagim.
“Vandalizohen dhe dëmtohen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs në Leposaviq. Veturat e RTV Dukagjinit dhe të KALLXOs, janë vandalizuar dhe dëmtuar nga protestuesit në Leposaviq” – thuhet tutje në reagim.
Në fund, organizata që mbron dhe promovon të drejtat e gazetarëve kërkoi nga gazetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit.
Dëmtohen veturat e ekipit të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini – PAMJE
12:33 – Dëmtohen veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini
Veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini janë dëmtuar të hënën në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq.
Veturave u janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe.
Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti ka konfirmuar se ekipi janë mirë por tha se vetëm ka gjetur të dëmtuara.
Që nga orët e hershme të mëngjesit, ekipet e KALLXO.com po raportojnë nga veriu i vendit ku qytetarë lokal serb po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
12:10 – Simbole nacionaliste serbe vendosen në veturat e Policisë së Kosovës – FOTO
Në veturat e njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur simbole nacionaliste serbe, kryqi me katër ‘C’.
Kuptimi i këtij simboli është “Vetëm bashkimi i shpëton serbët”.
Gjithashtu, në automjete e Policisë së Kosovës është parë edhe simboli i luftës në Ukrainë, shkronja “Z”.
“Z” është bërë një simbol ushtarak në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.
Simboli i “Z”-së është parë edhe në automjetet e KFOR-it amerikan.
11:46 – Automjetit të KFOR-it i vizatohet shkronja “Z”
Një automjeti të KFOR-it, i cili është bllokuar mes protestuesve në Komunën e Zveçanit, i është vizatuar shkronja “Z” mbi flamurin e SHBA-së.
Për shkak të lidhjes me luftën në Ukrainë, Z është bërë një simbol militarist në propagandën ruse dhe përdoret nga civilët rusë për të treguar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës.
11:41 – Shefi i AKI-së i pranishëm në takimin mes presidentes Osmani dhe ambasadorit të SHBA-së
Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ka marrë pjesë në takimin mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Derisa takimi mes Osmanit e Hovenier zhvillohej, shefi i AKI-së është parë duke hyrë në objektin e Presidencës së Kosovës.
Ndërsa, pas takimit, ambasadori Hovenier foli për media. Jeffrey Hovenier tha se gjendja në veri të vendit është shqetësuese.
“Folëm për situatën dhe jemi shumë të shqetësuar, po e përsëris dhe nuk është mister që SHBA dhe QUINT besojnë që është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë po qasen në objektet publike me përdorim të forcës pra biseda me kryetarët ishte se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre që të ju shërbejnë qytetarëve ashtu siç presim na që ata ta bëjnë që i bie që ata të mos qasen në zyre me përdorim te forcës” – tha para gazetarëve ambasadori i SHBA-së.
11:37 – Ambasadori i ShBA-së: Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka përfunduar takimin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
Hovenier tha se në takim kanë biseduar për situatën në veri duke u shprehur i shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës atje dhe “dhunën e mundshme”.
Ambasadori i ShBA-së foli edhe për takimin me kryetarin e Zubin Potokut dhe Zveçanit i cili u zhvillua sot paradite.
Ai tha se duhet të shmangen situatat që zyrtarët publikë të hynë me forcë në objekte publike.
“Folëm për situatën dhe jemi shumë të shqetësuar, po e përsëris dhe nuk është mister që ShBA-të dhe QUINT-i besojnë që është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë po qasen në objektet publike me përdorim të forcës. Pra biseda me kryetarët ishte se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre që të ju shërbejnë qytetarëve ashtu siç presim na, që ata ta bëjnë, që i bie që ata të mos qasen në zyre me përdorim te forcës”- tha ai.
Hovenier tha se nuk mund të flas se përse kryetarët e dy komunave të tjera veriore nuk kanë shkuar në takim ndërsa ka theksuar se me kënaqësi do të takohej edhe kryeminsitrin Albin Kurti por, sipas Hovenier me sa ka kuptuar ai, Kurti mund të jetë duke udhëtuar.
KALLXO.com është duke pritur konfirmim nga Qeveria nëse Kurti ka udhëtuar dhe në cilin vend.
11:33 – FKOR monitoron situatën nga qielli
Qindra qytetarë serbë janë duke protestuar para komunave në veri të vendit. Ata po kundërshtojnë kryetarët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit.
Protestuesit kanë tentuar që të hyjnë në objektet e komunave, mirëpo KFOR-i ka parandaluar një gjë të tillë.
KFOR ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë në veri të vendit dhe se është duke monitoruar situatën e sigurisë.
KFOR-i ka vendosur kordonët përreth objekteve të komunave, po ashtu po monitoron situatën edhe nga qielli.
11:15 – Rakiq goditet me shishe boshe
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga të tubuarit para ndërtesës së Komunës në Zveçan që të lëvizin, në mënyrë që të kalojnë dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Të tubuarit nuk lejuan duke thirrur “tradhti”.
Kur ndaloi pranë mjetit të njësisë speciale, ata hodhën shishe boshe në drejtim të tij, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.
11:10 – Takimi me kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit, deklarohet Zyra e BE-së në Kosovë
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog kanë ftuar në një takim sot në mëngjes kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri.
Në këtë takim që u zhvillua në zyrat e BE-së në Prishtinë morën pjesë vetëm dy kryetarët që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, Izmir Zeqiri, kryetar i zgjedhur i Zubin Potokut dhe Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Zveçanit. Të pranishëm në këtë takim nuk ishin kryetarët e komunave të Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra e BE-së në Kosovë tha se kërkoi nga kryetarët që mos të bëjnë veprime që e përshkallëzojnë situatën.
“Z. Ilir Peci dhe z. Izmir Zeqiri iu përgjigjën pozitivisht ftesës për takimin që u zhvillua në ambientet e Zyrës së BE-së. Të pranishmit diskutuan për situatën në veri të Kosovës. Ambasadorët Szunyog dhe Hovenier u bënë thirrje dy kryetarëve të komunave të tregojnë përmbajtje dhe të mos bëjnë asnjë veprim që mund të shkaktojë incidente të mëtejshme dhe përshkallëzim të mundshëm” – thuhet në një përgjigje të Zyrës së BE-së në Kosovë për KALLXO.com.
10:49 – Situata në veri, KFOR-i deklarohet për media
Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR ka deklaruar se se po vëzhgon nga afër situatën dhe ka shtuar praninë në katër komunat e veriut të Kosovës.
“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë. Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999” – thuhet në komunikatë.
KFOR ka bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim.
Tutje, misioni i NATO-s në Kosovë tha se po mban komunikim me përfaqësues të të gjitha palëve.
“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme” – thuhet tutje në njoftim.
“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar” – thotë KFOR.
Në fund, KFOR-i kërkoi nga Serbia dhe Kosova që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.
10:47 – Lista Serbe paraqet dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se janë dy kërkesa që ua ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.
“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.
10:43 – Protestuesit në Leposaviq këndojnë ‘Kosova është zemra e Serbisë’
Protestuesit serbë në Leposaviq këndojnë këngë me përmbajtje nacionaliste. Ata në grupe po thërrasin ‘Kosova është zemra e Serbisë.
Ndërkohë KFOR-i është duke ofruar siguri duke barikaduar hapësirën përreth objektit të Komunës.
10:16 – Takimi i ambasadorit amerikan
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka përfunduar takimin me dy kryetarët e Komunave të Zveçanit, Ilir Pecin dhe Zubin Potokut, Izmir Zeqirin nga radhët e PDK-së.
Takimi u mbajt në Zyrë të BE-së.
Ambasadori amerikan ka vazhduar drejt Kuvendit të Kosovës, ndërsa nuk është deklaruar për media.
Brenda Zyrës së BE-së po qëndrojnë ende kryetarët Peci dhe Zeqiri.
10:05 – Qytetarët serb vendosin flamurin e tyre në autoblindë të Policisë
Disa qytetarë, protestues kanë vendosur një flamur të Serbisë në autoblindën e Policisë së Kosovës e cila ndodhet pranë komunës së Zveçanit.
Pas vendosjes së flamurit, përgjegjësi kryesor i ekipeve të KFOR ka dalur për të biseduar me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Të njëjtit i ka kërkuar që t’i lejojnë që të sjellin në afërsi të komunës një veturë të KFOR-it që gjendet në fillim të rrugës, pra ta largojnë nga turma.
Lista Serbe është pajtuar me këtë, përderisa KFOR kërkoi që është dy autoblinda të PK-së që po ashtu janë bllokuar në mesin e qytetarëve të sillen në afërsi të komunës, por kjo nuk u pranua nga ana e LS-së.
Më pas, KFOR ka kërkuar që oficerët që gjenden në njërën nga autoblindat e policisë të lejohen të sillen brenda dhe të futen në objektin e komunës, por që prapë edhe për këtë nuk është marr përgjigje pozitive nga ana e Listës Serbe.
Lista serbe ka pasur më pas një propozim tjetër, ata kanë thënë ‘pse këto automjete (të policisë) nuk kthehen në jug të Mitrovicës’.
Për këtë çështje KFOR ka mbetur që të diskutoj me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të vendosen se çfarë do të ndodhë.
10:03 – Takimi me Ambasadorin amerikan, flet kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier ka nisur një takim me dy kryetarë të zgjedhur të komunave në veri të vendit, Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut dhe Ilir Peci, kryetar i zgjedhur i Zveçanit.
Por, në këtë takim, që Ambasadori amerikan e thirri pas situatës së krijuar, nuk po marrin pjesë dy kryetarë të tjerë nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Erden Atiq, kryetar i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Leposaviqit.
Në një deklarim për KALLXO.com, kryetari i Mitrovicës së Veriut tha se do të ketë një takim së shpejti.
“Do të takohemi së shpejti. Me shumë kënaqësi. Presim mbështetje dhe bashkëpunim” – tha Atiq.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Lulzim Hetemi, kryetar i zgjedhur i Leposaviqit, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.
Që nga orët e hershme të së hënës, pranë objekteve komunale janë parë qytetarë serbë të cilët po protestojnë për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në zyrët e tyre.
09:57 Persona të maskuar në mesin e protestuesve në Leposaviq
Ekipi i KALLXO.com po vazhdon të qëndrojë në Komunën e Leposaviqit, atje ku qindra qytetarë serbë janë duke protestuar kundër ardhjes së kryetarit Lulzim Hetemi.
Në pamjet që po transmeton KALLXO.com shihen dhe disa persona të maskuar në mesin e protestuesve.
09:30 – Tensionet në veri Serbët i ndalin fëmijët prej shkollës
Autoritetet e shkollave në veri kanë vendosur që të ndërpresin mësimin në të gjitha institucionet shkollore për shkak të situatës së krijuar atje. Ata përmendën shqetësimet e prindërve dhe rrezikun për sigurinë e fëmijëve si arsye. Ky është informacioni që është përcjellë te prindërit që kanë marrë mesazhe nga mësuesit. Megjithatë, KoSSev nuk ka arritur të konfirmojë informacionin me autoritetet e shkollës.
09:03 – Zeqiri dhe Peci arrijnë në Zyrën e BE-së për takimin me ambasadorin Hovenier
Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci nga PDK arrijnë tek zyra e Bashkimit Evropian për takim me ambasadorin amerikan Hovenier.
08:55 – Hovenier arrin në selinë e Zyrës së BE-së
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka arritur në selinë e Zyrës së BE-së, aty ku i ka ftuar katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës në takim.
08:20 Policia tërhiqet nga kordoni në Zveçan
Ekipet speciale të Policisë së Kosovës para pak minutash janë tërhequr nga kordoni para komunës së Zveçan. Ata janë futur brenda në komunë për të lënë në perimetër njësitë e KFOR-it të cilat kanë krijuar një kordon që po qëndron para protestuesve të shumt që janë mbledhur.
Pamjet nga kallxo.com
08: 18 Protestuesit tentojnë të futen në komunën e Zveçanit
Policia e Kosovës, ka njoftuar se protestuesit në e Zveçan, kanë tentuar me dhunë të futen në objekt, duke përdorur gaz lotsjellës e duke u përplasur me policinë.
Sipas njoftimit, policia është detyruar të përdor sprej për t’i larguar ata dhe për ta vënë situatën nën kontroll.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftim.
08:02 Kryesia e Listës Serbe po i prinë protestës së qytetarëve në Zveçan
Liderët e Listës Serbe janë vendosur në krye të protestës në Zveçan
Pranë tyre është krijuar kordon i misionit të KFOR. E mbrapa pjesëtarëve të këtij misioni janë edhe kordoni i Policisë së Kosovës.
Gazetarja e Kallxo.com raporton se në mesin e protestuesve ka protestues të cilët po mbajnë maska të zeza anti-covid.
07:58 Policia me kordon në Zubin Potok
Policia e Kosovës ka vendosur një kordon me njësi speciale në hyrje të komunës së Zubin Potok.
Radio Europa e lirë raporton se kordoni është vendosur në shkallët e kësaj komune.
Edhe në këtë komunë KFOR ka shtuar prezencën për të krijuar një distancë në mes qytetarëve dhe policisë.
07:42 Eprori Amerikan i kërkon Goran Rakiq ti largoj qytetarët nga rruga
Para pak çastesh në Zubin Potok janë realizuar biseda në mes protestuesve dhe eprorëve të policisë së Kosovës Majori Shkëlzen Xhafa u ka thënë protestuesve se “Mund të protestoni sa të doni, mirëpo mos sulmoni pjesëtar të KFOR, mos sulmoni pjesëtar të Policisë
Gazetarja e Kallxo.com raporton se diskutime janë zhvilluar edhe në mes Goran Rakiq dhe përgjegjësit të ekipeve të KFOR që gjenden në Zvecan.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për juve, kjo ndërtesë nuk është stacion i policisë, kemi ardhur në paqe, nuk kemi ardhur të sulmojmë askënd, ne nuk kemi ardhur këtu për juve. Kontaktoni me shefin tuaj dhe largohuni nga këtu. Dua të me garantoni që ky kryetari i rremë nuk do hyjë në komunë” – ka thënë Rakiqi.
Nga KFOR amerikan më pas është thënë se të gjithë kanë qëllimin e njëjtë, të japim siguri për të gjithë.
“Është e rëndësishme që ta largojmë qytetarët nga këtu, më shumë njerëz, më pak hapësirë, më shumë probleme. Më duhet hapësirë” – tha ndër të tjera kryesuesi i KFOR.
Rakiq tutje ka thënë se mund kryetari i ri mund të jetë kryetar për familjen e tij, por jo për këta qytetarë.
“Të largohen forcat speciale nga këtu, nëse jo ne jemi këtu. Fëmijët nuk i kemi në shkolla, foshnjat nuk janë në çerdhe. Këtu nuk është stacion i policisë” – tha ai
KFOR tutje ka kërkuar që grupi i qytetarëve të shtyhen deri në pikën e parë të KFOR-it, mirëpo Lista Serbe ka thënë se diçka e tillë nuk mund të realizohet.
Lista serbe ka thënë se nëse dëshironi që të qetësoni situatën duhet t’i largoni këta qytetarë, duhet ta largoni njësinë speciale nga këtu
07:30 Midis kordonit të KFOR-it, deputeti Sali Zyba futet në Komunën e Leposaviqit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje është filmuar tek futet në komunën e Leposaviqit bashkë me kryetarin e kësaj komune.
Deputeti është futur në kohën kur KFOR ka krijuar një kordon me gjemba afër kësaj komune. Serbët lokal tashmë janë mbledhur në afërsi të komunës raporton gazetarja e Kallxo.com.
07:24 Pamjet e fundit nga Leposaviq
07: 21 Lista Serbe bashkë me protestuesit
Lideri i Listës Serbe Goran Rakiq është duke qëndruar në afërsi të komunës së Zveçanit ku para pak çastesh kishte një përleshje në mes policisë dhe protestuesve.
Gazetarja e Kallxo.com raporton se në këto momente njëri nga eprorët e policisë major Shkëlzen Xhafa është duke diskutuar me protestuesit të cilët më herët u përleshën me policinë.
Afër komunës tashmë është krijuar një kordon me policë special.
Edhe në komunën tjetër atë të Leposaviqit zyrtarë të listës serbe janë duke i shoqëruar protestuesit. Afër kordonit të policisë është parë Sllavko Simiq dhe ish kryetari i Leposaviqit.
07:12 Tensionohet situata në Zveçan, Policia përdorë spray
Protestuesi kanë nisur manifestimet në Zveçan.
Ata kanë kaluar pengesat e KFOR dhe kanë arritur deri afër objektit të komunës ku Policia e Kosovës ka përdorur spray për t`i larguar.
Njësi të shumta të KFOR janë vendosur para komunës së Zveçanit. Të pajisur me mjete mbrojtëse ata kanë bllokuar disa nga rrugët alternative të cilat çojnë në drejtim të komunës.
KFOR ka nisur të marrë kontrollin përreth komunave në veri të vendit që nga mëngjesi i sotëm
07:01 KFOR rrethon me tela me gjemba komunën e Leposaviqit.
Gazetarja e KALLXO.com raporton se njësitë e KFOR-it kanë rrethuar me tela me gjemba objektin e komunës së Leposaviqit. Sipas raportueses KFOR është vendosur para njësive të Policisë së Kosovës ndërsa brenda objektit po qëndrojnë Policia e Kosovës.
07:00 – KFOR-i mbikëqyrë situatën në Zveçan
Rrugët alternative që të çojnë tek ndërtesa e komunës së Zveçanit janë duke u mbikëqyrur nga KFOR.
Vërehet se KFOR ka njësi të shumta prezente nëpër rrugët e këtij qyteti, po ashtu vërehen edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës.
KALLXO.com ka tentuar fillimisht që të kaloj në njërë prej këtyre rrugëve, mirëpo ekipi është kthyer mbrapa për të kaluar nga rruga kryesore.
06: 39 – Situata në Zveçan
Ekipe të shtuara të Policisë së Kosovës, të pajisura me masa të shumta mbrojtëse janë parë në mëngjesin e sotëm në Zveçan.
Ata janë pozicionuar pranë ndërtesës së komunës, ndërsa shumë afër tyre gjenden edhe ekipe të misionit të NATO-s, KFOR.
Rruga që të dërgon në hyrje të komunës është e bllokuar, aty pranë gjenden disa pengesa, derisa gazetarët janë lejuar që të kalojnë në anën tjetër.
06:35 – Situata në veri – Pamje
Ekipet e KFOR-it janë pozicionuar në dy pika në afërsi të fshatit Rudar, ndërsa njësi të tjera janë parë deri sa po qarkullonin nëpër rrugët e veriut të Kosovës.
Sot kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe priten që të nisin punët e tyre në zyret e objekteve komunale.
Ndryshe nga betimet që bën për të udhëhequr qytetarët në komunat Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, kryetarët e rinj të premten e javës së kaluar hynë nën përcjellje të policisë brenda komunave.
Ata fillimisht tentuan njëherë por që u penguan nga dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur para objekteve të komunave në shenjë proteste.
Situata u tensionua kur njësitet e policisë nisën që të ofronin siguri për kryetarët që të hynin brenda objekteve të komunës.
Rezistenca e qytetarëve ndaj policisë bëri që këta të fundit të përdornin pajisjet policore për të shpërndarë turmën.
Pesë policë u lënduan nga konfrontimi me qytetarë ndërsa pati edhe vetura të demoluara një veture të policisë iu vu flaka.
Për këtë situatë që u krijua në veri të Kosovës reagimet ishin të shumta.
Ambasada e SHBA me nisjen e javës dhe pritshmërinë që kryetarët të shkojnë e të nisin punën në objektet komunale, ka ftuar në një takim të njëjtit.
Ambasadori amerikan i fton në takim kryetarët e komunave të veriut
Source link