Rezoluta për Srebrenicën, Vuçiç në alarm: Gjermania dhe SHBA po lobojnë fuqishëm për ta miratuar,
Konjufca në Forumin e Selanikut kërkon heqjen e fusnotës
Fusnota në emrin e Republikës së Kosovës duhet të hiqet, ka thënë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca. Ai mori pjesë Forumin e Dytë Ministror të Selanikut, që u organizua në formë virtuale nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, z. Nikola Dimitrov. Në fund të Forumit, parashihej nxjerrja e një deklarate, për të cilën, Konjufca tha se duhet ta përmbajë emrin e Kosovës, pa fusnotë.
“Qeveria e Serbisë, duke pyetur nëse Deklarata e Pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, e inicioi procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe pasi e morën përgjigjen, autoritetet e Serbisë nuk po e njohin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Konjufca, duke arsyetuar pse Kosova s’duhet të ketë fusnotë në emrin e saj.
“Unë do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t’ju kujtuar edhe një herë Opinionin e Tribunalit të Hagës të 22 korrikut 2010: “Gjykata ka konkluduar më lart se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, nuk e cenon ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999) ose Kuadrin Kushtetues”, tha ai.
“Fusnota paraqet një mënyrë të vjetruar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës. Edhe në takimet e fundit rajonale në deklaratat e përbashkëta nën Procesin e Berlinit, ajo nuk është përdorur më. Fusnota ishte menduar si një formë e thyerjes së akullit midis dy palëve në forume rajonale. Tani takimet e përbashkëta rajonale, në të cilat Kosova dhe Serbia marrin pjesë së bashku, janë bërë rutinore. Fusnota tashmë është tejkaluar”, tha Konjufca në këtë Forum.
Ndër tjera, Konjufca ka përsëritur edhe kërkesën drejtuar Bashkimit Evropian për nevojën e lëvizjes së lirë, pa viza, për qytetarët e Kosovës.
“Kjo do të ishte garancia më e mirë që përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një frazë, por një qëllim, që duhet, me shpresë, të arrihet sa më parë”, tha ai.
Në këtë takim virtual morën pjesë edhe ministrat e jashtëm nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë edhe Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi.