Lugina kërkon të jetë pjesë e dialogut
Lugina e Preshevës kërkon që të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë qëndrim, ua ka paraqitur sot kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj dhe ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Selim Selimi, të cilët vizituan sot Luginën.
“Kërkuam që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog dhe të jetë prezentë në tryezë ku ndërmerren negociatat për një marrëveshje përfundimtare”, tha Arifi.
“Një marrëveshje që nuk e përfshinë Luginën e Preshevës nuk ka mundësi me qenë e qëndrueshme”, tha ai.
E nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, u tha se Lugina është lënë anash për shumë kohë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj tha se është njoftuar
“Cungimi apo mungesa e barazisë apo prezenca e diskriminimit ndaj popullatës shqiptare në Serbi përcillet me interesim të veçantë dhe ne mendojmë që ashtu siç i trajtojmë ne në Kosovë komunitetin serb edhe qeveria e Serbisë duhet ta trajtojë komunitetin shqiptar në po të njëjtën mënyrë”, tha ajo.
“E kemi ndjekur po ashtu me shqetësim dukurinë e depopullimit përmes regjistrave civilë. Andaj ne mendojmë se duhet të ketë kujdes të shtuar në këtë aspekt në mënyrë që të mos cungohen edhe më tej të drejtat e shqiptarëve në këtë zonë”, tha kryediplomatja e Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selim tha se Presheva është lënë anash për shkak të shumë çështjeve politike.
“Po edhe përkundër këtij pozicioni jo të favorshëm të rinjtë dhe të rejat preshevarë janë gjithandej në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni jashtë në diasporë në pozita të suksesshme zot të vetvetes, të shkolluar dhe të gjithë ata e kanë në zemër Preshevën ashtu siç e kam unë”, tha ai.
Kjo ishte ministrja e parë e Jashtme e Kosovës që viziton Luginën.