Monday, January 24, 2022

102 raste dhe 4 viktima nga COVID-19, ndër ta edhe një 43-vjeçar

Dr Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik deklaroi se 4 persona kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit ndërsa janë shënuar dhe 102 raste të reja.

Mes viktimave është një 43-vjeçar nga Kamza i cili raportohet se nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese por ndodhej në spital prej disa ditësh në një gjendje të rënduar shëndetësore.

Dr Qirjako gjithashtu konfirmoi se 3 viktimat e tjera janë një “60 vjeçar nga Shkodra, një 64 vjeçar nga Durrësi dhe një 61 vjeçar nga Tirana” të cilët kishin sëmundje bashkëshoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 102 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, nga 1 rast në  Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 50 qytetarë, duke e çuar në 2264 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat për parandalimin e virusit si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe ruajtja e higjienës vetjake dhe kolektive.

Po ashtu, autoritetet shëndetësore i kanë bërë thirrje dhe bizneseve e institucioneve që të “zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore”

Mbajtja e maskës mbrojtëse në ambiente publike të mbyllura është tashmë e detyrueshme me ligj në Shqipëri pas miratimit të aktit normativ i cili synon të frenojë përhapjen e virusit.

Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.

Në kuadër të masave parandaluese, qytetarët që dyshojnë se janë ekspozuar ndaj COVID-19 duhet të vetizolohen dhe të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

- Advertisment -

Lexoni