Saturday, June 25, 2022

BE-ja mirëpret edhe takimin e Uashingtonit

Për Bashkimin Evropian secila përpjekje e ndonjë “pale të tretë” për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të normalizojnë raportet shihet si mbështetje ndaj dialogut, të cilin që nga viti 2011 po e lehtëson Bashkimi Evropian.

Në këtë mënyrë e shohin edhe takimin për të cilin ka njoftuar Richard Grenell se do të zhvillohet më 2 shtator në Uashington mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë.

“Sa i përket përfshirjes së palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të merren vesh për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, ne mirëpresim nismat që mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim ne kemi marrë në dijeni njoftimin e Ambasadorit Grenell”, thuhet në përgjigjen e BE-së në pyetjen për takimin e thirrur në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator.

BE-ja edhe këtë takim e sheh vetëm si “përforcim” të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, e të cilin e kanë mbështetur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë, para disa javësh në Bruksel, kishte biseduar edhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak me ndihmës-sekretari amerikan i shtetit Philip Reker, kur ky i fundit ishte në Bruksel. BE-ja konsideron se kanë të njëjtat qëllime në rajon sikur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dialogu në Bruksel, pas një pauze prej më shumë se një viti e gjysmë, kishte rifilluar në muajin korrik me dy takime të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Njëri takim ishte përmes video-lidhjeve, e tjetri me praninë fizike të tyre. U mbajtën edhe dy takime në nivel ekspertësh ku Kosovën e përfaqësoi Skender Hyseni, i emëruar si koordinator shtetëror për dialog nga kryeministri i Kosovës. Në këto takime ishte biseduar për çështjen e të zhdukurve, të zhvendosurve dhe temave ekonomike. Por kryeministri i Kosovës Avdullah hoti dhe koordinatori Skender Hyseni kanë insistuar se këto nuk janë diskutime teknike, për vetëm politike që kanë për qëllim draftimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve, që nënkupton njohjen e ndërsjellë. Delegacioni i Serbisë ka insistuar se “është gënjeshtër e përfaqësuesve të Prishtinës se po bisedohet për njohje”.

- Advertisment -

Lexoni