Jeta e re pas burgut, Dani Alves hap një kompani për të drejtat e atletëve
Përplasja Osmani – Grenell për marrëveshjen e Uashingtonit
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kanë shkëmbyer replika përmes rrjeteve sociale në lidhje me marrëveshjen Kosovë – Serbi të nënshkruar në Uashington.
Grenell i ka reaguar ashpër kryeparlamentares Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit tha se në takimi në Uashington nuk solli asgjë nga ato që ishte premtuar.
Përveç njohjes nga Izraeli, Osmani tha se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë.
Por, Grenell i është kundërpërgjigjur asaj duke shkruar se s’ka ngritur asnjë shqetësim të vetëm e as nuk keni dhënë asnjë ide të vetme, që tani të ankohet.
“Marrëveshja ishte për njohje ekonomike. Është hap enorm. Për ju që tani të ankoheni se s’keni marrë më shumë është e çuditshme pasi që ju s’keni ngritur asnjë shqetësim të vetëm e as nuk keni dhënë asnjë ide të vetme”, shkroi Grenell.
Sipas tij, politikanë që bëjnë më shumë se që vetëm të ankohen.
“Kjo është për punët, jo vetëm simbolikë. S’mund të paguani as qiratë e as të ushqeni familjet tuaja me simbolikë. Studimi i fizibilitetit për liqenin është që të dihet saktësisht se si mund të përdoret e çfarë vende pune mund të krijohen. Të sugjerosh se kjo hap çështje të tjera është politikë e pakuptimtë. Ky studim është për të krijuar punë”, ka shkruar ai në Twitter.
Më pas, edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur Grenellit duke i thënë se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është simbolikë.
“Njohja e Kosovës nga Serbia nuk është simbolikë. Është njohje e një realiteti të cilin ShBA-ja ishte e para që e ka bërë. Për ta quajtur shtetin që është një projekt i përbashkët mes popullit të Kosovës dhe ShBA-së, një ‘simbolizëm’ i zvogëlon investimet dypartiake të ShBA-së për një dekade në Kosovë. Dhe jo ne nuk kemi luftuar me Serbinë për “fjalë, mbiemra dhe simbolika” por kemi luftuar për liri, ne kemi luftuar kundër gjenocidit. Delegacioni i Kosovës nuk ishte transparent. Ata thanë që do të sjellin njohjen reciproke me Serbinë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për çfarë janë zotuar publikisht”, ka shkruar Osmani.
Kryeparlamentarja ka shtuar se pajtohet se simbolizmi nuk mund të krijojë vende pune, por këtë thotë se nuk mund ta bëjnë as politikanë të korruptuar dhe gënjeshtarë në Kosovë të cilët kanë udhëhequr vendin dhe kanë shkatërruar ekonominë tonë për 20 vjetët e kaluara.