VITI 1922/ Takimi i amerikanes, Rose Wilder Lane me malësorin që ishte strehuar dhe jetonte
Dosjet e Speciales në zyrat e OVL e UÇK-së, rrezikohet identiteti i dëshmitarëve të mbrojtur
Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale arriti në adresë të OVL-UÇK-së të hënën nga persona të panjohur.
Një ditë pas, hetues të Speciales e kanë marrë një kopje të këtyre dosjeve nga zyrat e kësaj organizate në Prishtinë.
Këtë e konfirmoi për Objektiv kryetari i kësaj organizate Hysni Gucati, i cili tha se një kopje do të dorëzohet të mërkurën edhe në Prokurorinë Speciale.
“Kanë ardh vet i kanë marrë dy hetues të Gjykatë Speciale, një pjesë ua kemi dërguar mediave e pjesën tjetër do t’ia dërgojmë nesër Prokurorisë Speciale”, tha Gucati.
Megjithatë, Gucati e ka mohuar se do të publikohen emrat e dëshmitarëve të mbrojtur të Speciales.
“Ne nuk do ta bëjmë publike asnjë dëshmitar asnjë emër, e jona ka qenë qe ne me i dorëzo dhe me njoftu opinionin që këto dosje kanë dalë nga Gjykata Speciale, ne asnjë emër nuk e qesim as nuk e kem ndërmend që t’i qesim”, ka shtuar Gucati.
Publikimin eventual të emrave të dëshmitarëve të mbrojtur po e sheh si të rrezikshme edhe avokati Artan Çerkini.
“Po me vete faktin se janë në pyetje dëshmitaret e mbrojtur nuk ka dileme se publikimi i emrave te tyre do te përbente shkelje ligjore”, tha Çerkini.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se nëse këto dosje kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale, do të ishte skandal.
“Çdo informacion lidhur me dëshmitarët e mbrojtur është e mbrojtur me ligj dhe të njëjtat nuk duhet të publikohen. Kushdo qe publikon të dhëna të tilla cenon jetën dhe sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre. Dosjet në zyrat e OVL duhet të hetohen dhe të informohet publiku lidhur me të vërtetën lidhur me këto dosje. Nëse këto dosje janë të vërteta dhe kane rrjedhur nga Gjykata Speciale, ky do te ishte super skandal i kësaj gjykate”, theksoi Gucati.
Për këtë çështje, gazeta Objektiv ka pyetur edhe Zyrën për Media të Dhomave të Specializuara se a janë të njoftuar për këtë, por zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, tha shkurtimisht për gazetën Objektiv se nuk kanë asnjë koment.