Vulletiq për The Geopost: Serbia ka dyfytyrësi politike me të dyja palët, këtë e shohin
Pa lamtumirën e fundit, si i ndryshoi COVID-19 ritet e varrimit
Përveç kufizimeve që solli në jetën e përditshme, Covid-19 ndryshoi pas shumë dekadash edhe ritet e varrimit.
Numri i vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19 në Shqipëri sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar në 322, nga ku 67 % e këtyre personave janë burra dhe 33 % janë gra.
Në daljet e saj të herëpashershme Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u rikujton qytetarëve se funeralet, përtej rretheve familjare të ngushta, nuk jane të lejuara, pasi përbëjnë rrezik për shpërndarjen e infeksionit.
Në këto kushte pengu më i madh i familjarëve është që nuk u japin dot lamtumirën e fundit të afërmve të tyre.
Pikëllimin e shton më tepër mungesa e njerëzve që në momente të tilla kanë qëndruar gjithmonë pranë njeri-tjetrit.
Sulejman Habibi, pronar i një agjencie funerale në Tiranë tregon se çfarë ndryshon në mënyrën e organizimit të funeraleve tek viktimat e Covid.
Sipas tij pas muajit mars situate ka ndryshuar totalisht dhe jo vetëm për varrimet me Covid. Z. Habibi ka treguar për Euronews Albania se sipas urdhrit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Spitaleve viktimat nga Covid fillimisht plastifikohen apo izolohen tek morgu dhe asnjë familjar nuk është i lejuar. Ai sqaroi se pavarësisht se ka pasur familjarë që janë treguar këmbngulës dhe kanë dashur të shohin familjarët e tyre në morg, në fund kanë treguar mirëkuptimin e tyre dhe janë tërhequr.
Sulejman Habibi tha se ritet fetare realizohen në mënyrë të përciptë ose nuk realizohen fare ndërkohë që drekat dhe darkat nuk janë bërë fare.
“Me dhimbje nëpër dhëmbë e kanë përcjellë njeriun me traditën e re të imponuar nga koha”,- u shpreh ai.
Drejtorja e shërbimit funeral të Tiranës deklaron se varrimi i personave që ndërrojnë jetë nga Covid 19 ka disa specifika të përcaktuar në një vendim të Këshillit të Ministrave.
Raimonda Shino, Drejtore e Përgjithshme e “Agjencisë së Shërbimit Funeral” të Bashkisë Tiranë ka treguar për Euronews Albania se i gjithë procesi i varrimit fillon me dezinfektimin e parcelës dhe e njëjta gjë bëhet edhe pas përfundimit. Ajo tha se tashmë ka ndryshuar edhe mënyra e hapjes së vendit që është më i thellë se 2 metra.
Pyetur nga gazetarja e Euronews nëse pllaka e betonit është e ndaluar të vendoset ajo është shprehur se pllaka e betonit ndikon drejtëpërdrejtë në mënyrën e tretjes dhe dekompozimit të trupit kështu që rrjedhimisht nuk vendoset.
Numri i vdekjeve për shkak të Covid-19 në dy muajt e fundit është dyfishuar.
Raimona Shino tha se në periudhën e karantinës kanë pasur një numër minimal me 5 raste në mars, 9 në prill, 3 në maj, ndërkohë që një rritje e konsiderueshme është vënë re me 46 raste në korrik dhe 83 në Gusht.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Tiranë për periudhën janar-gusht 2019 ka qenë 2281, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti, është 2597, ku sipas agjencisë së funeraleve, rritja vjen edhe për shkak të viktimave të Covid, të cilët vetëm në Tiranë e kanë kaluar 150.