Hoti: Po zbatohet Marrëveshja e Uashingtonit
Udhëheqësi i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe udhëheqësja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, kanë nënshkruar të martën letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.
Ky zotim ka qenë një prej pikave të marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Avdullah Hoti e ka cilësuar si lajm të mirë nënshkrimin për nisjen e procedurave për realizimin e “Autostradës së Paqes” që lidh Prishtinën me Nishin.
“Lajm i mirë drejt realizimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Ky projekt do të lidh Nishin me Prishtinën”, ka shkruar ai në Twitter.
“Autostrada e Paqes do të nxisë zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal, duke lidhur Nishin me Prishtinën. Po ashtu do të shërbejë si simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re dhe transformuese të këtyre dy vendeve fqinje”, ka thënë në anën tjetër, Adam Boelher.
Kurse Kimberly Reed, ka thënë se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit në mes të Prishtinës dhe Beogradit.