Atalanta kërkon 60 milionë euro për holandezin, “trembet” Liverpooli
Vargjet e së dielës – Unë biri yt, Kosovë
UNË BIRI YT
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthejë do si vullkan –
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.
Ali Podrimja – Biografia
Lindi më 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976, në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Është anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.
Me shkrime filloi të merret qysh si gjimnazist. Poezinë e parë Arabja e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë Thirrje. Në përkthim të poetit Esat Mekuli u botua, me plotësime, edhe në gjuhën serbokroate (1968). Përmbledhja Thirrje në vitin 1971 u bë kartuç në Tiranë, për shkak të disa poezive “hermetike”. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.
Pos poezive, Podrimja shkroi ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me çmimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare.
Vdiq më 21.07.2012 në Lodève të Francës ku merrte pjesë në festivalin e poezisë Voix de la Méditerranée /Burimi ASHAK/