Kampione e Holandës dy javë para fundit, PSV feston titullin e 25!
Gjykata Speciale tregon arsyet pse arrestoi kreun e OVL UÇK-së
Zyra për shtyp e Gjykatës Speciale të Hagës sqaroi mbrëmjen e së premtes se arrestoi përmes Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Kosovë, Hysni Gucati, pasi ky ka “penguar administrimin e drejtësisë” duke publikuar “informacione konfidenciale” të rrjedhura prej saj.
“Për të dyshuarin [Gucati] është lëshuar fletë-arresti për vepra penale kundër administrimit të së drejtës, praktikisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedures,” – u tha në një komunikatë për shtyp lëshuar nga Zyra për shtyp e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ku shtohej se seanca e parë gjyqësore ndaj kryetarit të OVL-së do të jetë e hapur dhe do të transmetohet online.
Rreth orës 20:30, ZPS bëri publike edhe urdhër-arrestin ku thuhej se ai u bë pasi Gucati zhvilloi tre konferenca për shtyp, më 7, 16 dhe 22 shtator, konferenca në të cilat ka bërë të njohur informacione konfidenciale që mund të dëmtojnë procese hetimore.
Më herët në pasdite, zyra për shtyp e ZPS-së nuk pati dhënë koment pas interesimit të korrespondentes së Euronews Albania, Erjonë Popova.
Në një deklaratë tjetër ZPS sqaroi pozitat e angazhimit të EULEX-it në procedurat e arrestimit ku u tha se “EULEX dha mbështetje operative për ZPS-në” duke u theksuar se mbështetja ishte “në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin në fuqi të Kosovës”.
Me këtë koment ZPS i dha përgjigje argumenteve të shumta të dhëna gjatë ditës se EULEX-i nuk mund të arrestonte vetë qytetarë të Kosovës dhe kishte vepruar të premten në shkelje të kompetencave të saj.
Në mbrëmje edhe EULEX lëshoi një deklaratë ku mbajti të njëjtin qendrim se “Gucati u arrestua në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Qoftë Dhomat e Specializuara, qoftë dhe EULEX nuk përmendën deklaratat e tyre arrestimin e nënkryetarit të OVL-së, Nasim Haradinaj.
Gucati e Haradinaj u arrestuan të premten disa javë pasi Organizata e Veteranëve të Luftës mori disa dokumente të rrjedhura nga Gjykata Speciale.
Gucati pati deklaruar në media se këto dokumente tregonin lidhje të Prokurorisë Speciale me Prokurorinë e Serbisë. Pjesë nga dokumentet u bënë publike. Ndërsa Haradinaj u arrestua pak pasi dha një intervistë për Euronews Albania ku u zotua se nëse OVL-së do t’i gjendeshin sërish dokumente të rrjedhura do t’i përhapte edhe më shumë për publikun.