Çmimi Nobel për Mjekësi për tre virologë
Tre virologë nderohen me Çmimin Nobel për Mjekësi për kontributin e tyre vendimtar në luftën kundër hepatitit C.
Në mes të pandemisë së virusit Corona me Çmimin Nobel për Mjekësi u nderuan tre virologë. Dy studiuesit amerikanë Harvey Alter dhe Charles Rice dhe kolegu i tyre britanik Michael Houghton vlerësohen për zbulimin e virusit të hepatitit C, siç njoftoi Asambleja e Çmimit Nobel e Institutit Karolinska në Stokholm.
Virusi i hepatit C shkakton cirrozë dhe kancer të mëlçisë
Me punën e tyre tre studiuesit kanë dhënë “një kontribut vendimtar në luftën kundër hepatitit që transmetohet përmes gjakut”, “një problem shëndetësor global që shkakton cirrozë dhe kancer të mëlçisë në njerëz në të gjithë botën”, tha komiteti i Çmimit Nobel.
Falë zbulimeve të tyre tani ka në dispozicion teste shumë të ndjeshme gjaku për të zbuluar virusin. Për shkak të testimeve “hepatiti pas transfuzioneve të gjakut ka mundur të eliminohet në shumë pjesë të botës”.