Dezinformon Putin: Bashkëpunimi ynë me Kinën, faktor stabilizues ndërkmbëtar
Kurti shpalos programin: Vaksinim i 60% të popullatës, investime në shëndetësi…
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për pozitën e kryeministrit, ka shpalosur pikat kryesore të programit të partisë së tij. Ndër tjera, ai ka thënë se ka në planin e Vetëvendosjes për pandeminë është që të vaksinohen së paku 60 për qind të popullatës.
“Masat e veprimit do të jenë, vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i materialit mbrojtës, barnave e testeve, trajnimi i vazhdueshëm dhe rritja e kapaciteteve. Rritja e kapaciteteve në kujdesin parësor shëndetësor. Do të fillojmë bisedime me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Do të përgatitemi e të aplikojmë për anëtarësim në OBSH”, ka thënë Kurti gjatë prezantimit të programit të VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ndërkohë, ka thënë se do të punojë që edhe ekonomia të dalë nga pandemia.
“Një ekonomi që ka më shumë prodhim e eksport, më shumë punëtorë e më shumë të drejta të punëtorëve. Pa monopole e me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm. Ndërmarrësve tanë do t’u ofrojmë qasje të lehtë në financa për rritjen e prodhimit”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Kurti ka folur edhe për forcimin e turizmit rural, e po ashtu edhe për të drejtat e komuniteteve joshumicë. Ka thënë se nuk do të ketë diskriminime ndaj tyre.
Ai ka folur edhe për ndërrmarjet publike.
“Qeveria jonë do të kujdeset që të vazhdohet me procesin e depolitizimit e normalizimit të punës në ndërmarrjet publike, aq të goditura nga pandemia ashtu edhe nga keqmenaxhimi, e zhvatja e tyre për dy dekada. Këto ndërmarrje duhet të kalojnë nga pengues, në mbështetës të rritjes së ekonomisë. Nga absorbues të buxhetit në kontribuues”, ka thënë Kurti, që ka thënë se do të synojë eliminimin e monopolit në ekonomi.
Ai ka thënë se do të angazhohet të kthehet ekonomia në normalitet.
Kurti po ashtu ka folur edhe për krijimin e Fondit Sovran, dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës. Ka thënë se do të shuajë Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe asetet e saj do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.
Lideri i VV-së ka thënë se pushimi i lehonisë do të zgjatet në 12 muaj, nga nëntë sa është tash, ndërkohë që të drejtë pushimi do të kenë të dy prindërit. Po ashtu ka thënë se lehonat e papuna do të marrin për gjashtë muaj pagën mininale në Kosovë.
Gjithë kjo, nëse ai dhe VV-ja vijnë në pushtet.
Kurti ka thënë po ashtu se paga minimale do të jetë 250 euro dhe se ajo do të përjashtohet nga tatimi në të ardhura personale.
Kurti ka thënë se në planin e tij është paraparë ndërtimi i 160 çerdheve në gjitha vendet, si dhe shtesa mujore për fëmijët nën dy vjet nga 20 euro në muaj, e nën moshën 16-vjeçare nga 10 euro në muaj, që do të derdhen në llogari të nënave, pa pasur nevojë të paguhen tatime.
Ai ka folur edhe se do të hiqen pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. E do të bëhet edhe rishikimi i tarifave për shërbimet kadastrale, e noteriale sa i përket pronës.
Kurti ka thënë edhe se zbutja e varfërisë është objektivi i tij. Ai ka thënë se krahas rritjes së përfitimeve nga skemat sociale, ka edhe shtesat për fëmijë. Po ashtu edhe punësime sezonale për një anëtar të familjes që janë përfshirë në skema sociale.
Kurti ka thënë se do të ndërtohen edhe pesë shtëpi kujdesi për pleqtë.
Kurti ka folur edhe për planin e VV-së për ngritjen e Arsimit. Ai ka thënë se do të mbështeten mësimdhënësit në zhvillim profesional, do të hapen biblioteka për mësimdhënës. E po ashtu do të kenë edhe banim me kosto të përballueshme. Ai ka thënë se synim është rianëtarësimi në ENQA e EQAR. Po ashtu edhe se për studentët do të synohet që të angazhohen në praktikë në institucione publike, e t’i llogaritet puna vullnetare si përvojë pune. Po ashtu është për arsim falas, që të hiqen gjitha pagesat e semestrave në universitete publike.
Kandidati i VV-së për kryeministër ka premtuar po ashtu se nuk do të ketë karton të gjelbër për mërgatën dhe se sporti do të jetë prioritet shtetëror
“Do të ndërtojmë qendra multifunksionale, përfshirë edhe stadiumin kombëtar në kuadër të qendrës multifunksionale që do të ndërtohet në kryeqytet”, tha ai në prezantimin e programit të VV-së.
Ai ka premtuar se Trepçë do ta shtojë zhvillimin dhe kualifikimin e minatorëve.
Po ashtu ka thënë se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet me dy shërbime bazë, kargo dhe të udhëtimeve me kosto të lira.
Ka folur edhe për shkollat dhe të rinjtë.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se çdo vit buxhetit të Shëndetësisë do t’i shtohen 40 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën dhe rritjen e kapaciteteve. Ai ka premtuar edhe furnizim të mjaftueshëm me barna esenciale.
Kurti ka thënë se pandemia ka shpërfaqur brutalisht gjendjen në Shëndetësi.
Kurti ka folur edhe për forcimin e Policisë së Kosovës, për ngritjen e kapaciteteve.
Ai ka thënë se po ashtu do të zbatohet procesi i vettingut në të gjitha institucionet e drejtësisë në vend.
“Do të ketë vetting për nivelet e larta të Policisë. Koha e gradimit në bazë të nepotizmit do të marrë fund me qeverinë tonë”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për forcimin e FSK-së e po ashtu edhe për planet për politikën e jashtme.