Lideri Suprem i Iranit shpalli 5 ditë zie për vdekjen e Presidentit, Iranianët e injorojnë
Mediat serbe publikojnë emrat e 15 shqiptarëve të Kosovës që doktoruan në Kragujevc
Shqiptarët e Kosovës morën disertacione doktorature në Universitetin e Kragujevcit, dhe sipas të dhënave jozyrtare nga Ministria e Brendshme të Serbisë, ata as që qëndruan në Serbi në atë kohë.
Siç shkruan Objektiv.rs, të gjitha këto disertacione doktorature, të gjetura tani, u shtypën gjatë vitit 2016 dhe i referohen drejtpërdrejt rektorit Nebojsha Arsenijevic dhe diplomat e gjetura deri më tani mbajnë pikërisht nënshkrimin e Arsenijevic.
Çfarë vënë në pah mediat serbe është fakti se një pjesë “shtesë e turpshme dhe katastrofike” e çështjes është fakti që një pjesë e “studentëve shqiptarë” nga Kosova morën doktoraturat e tyre në Kragujevc pikërisht në tema që lidhen me Kosovën si shtet i pavarur.
“Nën Arsenijević”, shkruan më tej Objektiv.rs, “shqiptarët e Kosovës u bënë doktorë të ekonomisë, drejtësisë,…”.
Sigurisht, vlerëson ky portal “pa ndonjë bazë ligjore sepse Universiteti i Kragujevcit kurrë nuk i ka regjistruar ata shqiptarë të Kosovës, dhe as nuk posedon disertacionet e tyre të doktoratës, e as nuk janë në listën e përgjithshme të disertacioneve”.
“Qendra Evropiane për Paqe dhe Zhvillim (ECPD), në të cilën rektori arrogant Arsenijeviç ka qenë në zyrë që nga viti 2004, është përfshirë në të gjithë mashtrimin, i cili ndodhi në Universitetin e Kragujevac dhe solli fitime të majme”.
Në kohën kur janë lëshuar këto diploma, Arsenijevic thuhet se ishte rektor në Universitetin e Kragujevcit dhe dekan në ECPD, shkruan ky portal, i cituar edhe nga media tjera në Serbi.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Kragujevcit, Marko Lukic, thotë se 15 disertacione doktorature për persona nga Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë në proces të kontrollit.
Në një deklaratë për RTS, Lukic ka thënë se Universiteti i Kragujevcit i dorëzoi të gjithë dokumentacionin në lidhje me diplomat e diskutueshme policisë në mënyrë që të ndërmerrte veprime të mëtejshme.
Personat nga Kosova, që kanë fituar disertacionet e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit, sipas mediave serbe, janë Raif Ramabaja, Bashkim Arifi, Enes Sadovica, Fadil Krasniqi,. Hashim Çollaku, Ilaz Duli, Ilir Rodiqi, Muhamed Disha, Nuhi Sela, Osman Ejupi, Safet Hoxha, Shukrie Rama, Vehebi Sofiu, Veli Lecaj dhe Vjollca Visoka-Hasani.
“Koha” ka kontaktuar me dy prej tyre, Ilaz Dulin e Hashim Çollakun. Ai thotë se nuk ka të bëjë asgjë me Universitetin e Kragujevcit. Sipas Dulit, ai ishte i regjistruar për doktoraturë në ECPD dhe pasi në fund i doli problem kësaj qendre studimore në lidhje me diplomat, atë e mori në degën e Shkupit.
“Unë kam qenë në ECPD, ligjëratat i kam ndjekur në Prishtinë, ndërkohë diplomën e kam marrë në degën e kësaj qendre në Shkup. Diplomën tani e kam për nostrifikim në Ministrinë e Arsimit”, ka thënë Duli. “Unë kurrë nuk kam qenë në Kragujevc”.
Njëjtë gjë ka deklaruar edhe Hashim Çollaku. “Studimet për doktoraturë i kam ndjekur në Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim në Prishtinë, ndërkohë diplomën e kam marrë në Shkup. Kjo që ka dalë është gënjeshtër e madhe e serbëve, siç dijnë vetëm ata”, ka thënë Çollaku. Ai është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën e Apelit. Për një kohë ishte edhe kryetar i Apelit. Në CV-në e tij zyrtare, shkruan se ka fituar gradën Doktor i Shkencave Juridike në ECPD.
Ky “fenomen” sipas mediave serbe, është i shtrirë në gjithë rajonin. Të tilla, sipas tyre kanë fituar edhe banorët e Bosnjës dhe gazeta “Blic.rs” ka publikuar formën e diplomës për një doktorant nga Sarajeva. Gazeta ka fshehur emrin e personit në fjalë, pasi diploma do të shfrytëzohet për hetime. Por sipas kësaj gazete, ai kurrë nuk ishte i regjistruar në asnjë program të Universitetit të Kragujevcit.