Superiore për vajza/ “Final 4” nis të premten, duelet dhe oraret
Një deputet i vetëm mund ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje
Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka të sigurta 67 vota, për t’u zgjedhur presidente e vendit. Por, para se Vjosa Osmani t’i ketë këto 67 vota, në seancën për zgjedhjen e presidentit, duhet të jenë në pranishëm 80 nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës. Mungesa e kuorumit, apo 80 deputetëve në seancë, e lë Kosovën pa president, kurse vendin e çon me automatizëm në zgjedhje të reja.
Deri më tani, pro Osmanit pritet të votojnë 58 deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Guxo si dhe 9 deputetët e pakicave joserbe, ku përfshihen deputetë, boshnjakë, turqë, romë, ashkali dhe egjiptian. Një votë tjetër nga pakicat joserbe mbetet diskutabile, bëhet fjalë për deputetin goran. Por, të paktën ky deputet duhet të jetë i pranishëm në sallë.
Edhe nga LDK-ja mund të jenë të pranishëm në sallë 12 nga 15 deputetët e zgjedhur. Andaj, në total, numri sillet nga 79 deri në 80 deputetë sa mund të jenë të pranishëm. Në rast se del që në seancë do të jenë vetëm 79 deputetë, Vjosa Osmani nuk mund t’i marrë votat fare, pasi që dështon zgjedhja e saj dhe kështu Kosova shkon në zgjedhje.
Bojkotimi i seancës është paralajmëruar nga 19 deputetët e PDK-së. Kurse 8 deputetët e AAK-së, si dhe 10 deputetët e Listës Serbe nuk janë dekalruar ende, nëse do të marrin pjesë apo jo në seancë. Pjesëmarrja në sencë mbetet diskutabile edhe për tre deputetë të LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, të cilët nuk pajtohen që LDK ta mbështesë Osmanin për presidente.
Pas takimeve me partitë shqiptare, ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë filluar t’i takojnë edhe komunitetet. Një takim i tillë u zhvillua të enjten mes ambasdorit italian, Nicola Orlando me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiqit, kryetar I Listës Serbe. Orlando ka përsëritur thirrjen që të gjitha partitë të jenë konstruktive dhe të përgjegjshme në funksion të zgjedhjeve presidenciale, duke theksuar se dështimi do të ndikonte negativisht te të gjithë qytetarët.