Studimi shkencor: Toka ka pasur ujë edhe 1.6 miliard vite më parë
Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar ujin më të vjetër të njohur në botë në një minierë të vjetër në Kanada.
U deshën 17 vite punë kërkimore dhe udhëtim 2.5 kilometra nën tokë për të marrë mostra të këtij uji në minierën e Ontarios “Kidd Creek”.
Kontributin kryesor në këtë zbulim e ka gjeologjistja Barbara Sherëood. Për herë të parë ajo dhe kolegët e saj kanë vizituar këtë minierë në vitin 1992 dhe prej atëherë do të vijonin të riktheheshin në mënyrë periodike për të marrë ujin e bllokuar mes shkëmbinjëve të minierës.
Mes galerive ekzistuese dhe tuneleve të reja, ajo dhe ekipi i saj gërmuan deri në 2.4 kilometra nën tokë drejt ujit në fjalë që kutërbonte aromë të fortë për shkak të dendësisë së lartë me kripëra. Pas matjeve, kjo dendësi ishte rreth 10 herë më e lartë se ujit i detit.
Doza e siguruar është transportuar dhe ruajtur në Muzeun Shkencor Kombëtar kanadez, si artefakti më i vjetër aty. Uji i marrë besohet se është 1.6 miliard vite, falë mbrojtjes që i kanë siguruar shkëmbinjtë që nuk e kanë lejuar të avullojë.
Shkencëtarët kuptuan se bëhej fjalë për ujë “të moshuar” në momentin që zbuluan brenda tij bakterie dhe mikrobe të llojit që gjenden vetëm në thellësitë më ekstreme të oqeaneve.
Disa mostra u dërguan në Universitetin e Oksfordit për të konfirmuar dyshimet e tyre. Matja nga spektometri i shkencëtarëve të këtij universiteti tregoi se uji ishte në të tillë formë prej së paku 1.6 miliard vite.