Vaksinimi në Prishtinë sot po shkon mirë dhe pa tollovi
Procesi i vaksinimit po vazhdon edhe gjatë të shtunës në sallën “1 Tetori” në Prishtinë veçse për dallim nga dje këtë herë pa asnjë tollovi të krijuar nga qytetarët.
Policia e Kosovës dhe stafi organizativ i kësaj qendre të vaksinimit nga orët e hershme të mëngjesit po presin të moshuarit për t’u vaksinuar.
Për t’i ikur grumbullimit të njerëzve, Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se vaksinimi kundër COVID-19 do të vazhdojë për të moshurit mbi moshën 65 vjeç edhe në fundjavë, por duke theksuar se do të vaksinohen vetëm ata qytetarë që kontaktohen nga MSh-ja.
“Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla ‘1 Tetori’ – do të vaksinohen qytetarët, të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova, dhe sipas terminit të caktuar”, thuhet në njoftim.
Sipas të njëjtit, vaksinimi edhe në komunat e tjera do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit./EO