Njihuni me modelen shqiptare që bashkëpunon me Armani dhe D&G (FOTO)
Sapo e shikon, Jessica Qehaja të jep përshtypjen e një bukurie tipike natyrale, diku mes asaj italiane dhe franceze. Por në fakt ajo është shqiptare dhe këtë gjë e thotë me shumë krenari, ndonëse ka lindur në Udine dhe të gjithë karrierën e saj në modeling e ka zhvilluar në Itali.
Për 10 vite ajo ka studiuar balet dhe me pas është zhvendosur në Milano në moshën 15-vjeçare, ku në vitin 2013 ajo ka fituar konkursin ndërkombëtar “Elite Mode” dhe kjo i ha hapur dyert në këtë industri.
Jessica ka rreth 8 vite që punon rregullisht si modele dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si “Armani”, “D&G”, me “Paulo Sorrentino”, “Le Silla” e shumë të tjera.
Paralelisht ajo studion media dhe komunikim, i pëlqen aktiviteti fizik, kërcimi, muzika, gatimi. Së fundmi ajo ka korrur edhe një tjetër sukses, pasi është përzgjedhur për të qenë në kopertinën e revistës italiane “Donna Moderna”, ku tregon për jetën dhe karrierën e saj.
Jessica ishte e ftuar në një lidhje Skype për “Wake Up”, ku tregoi se është mjaft krenare për origjinën e saj shqiptare.
“Klienti që më përzgjodhi donte një fytyrë mesdhetare dhe duke parë tiparet e mia, donin një fytyrë si e imja për të promovuar bizhuteritë.
Prindërit e mi janë shqiptarë dhe lëvizën nga Shqipëria drejt Italisë rreth 30 vite më parë. Unë di dialektin tipik të Shkodrës. Unë e kam të vështirë ta kuptoj shqipen letrare, sepse në familjen time flitet shkodranshe.
Unë jam njeri shumë pozitiv dhe nuk më pëlqen të kem energji negative përreth. Madje nuk di as të shaj në shqip (qesh)”, rrëfeu bukuroshja shqiptare.