Kryeministri Kurti ka një mesazh për të gjithë qytetarët
“Vaksionohuni, bashkë ia dalim”, është mesazhi që kryeministri Albin Kurti ka shpërnda përmes profilit të tij në Facebook.
Në kohën kur Kosova po zhvillon procesin e vaksinimit të të gjithë personave mbi 18 vjeç, ka ende hezitime te një pjesë e popullatës rreth marrjes së vaksinës për shkak të lajmeve të shumta të rreme që janë transmetuar në media e rrjete sociale anë e mbanë botës.
Andaj, thirrjeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, iu është bashkuar edhe Kurti, në përpjekje që të rritet numri i të vaksinuarve në kohën e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.
“Vaksinohu! Bashkë ia dalim”, është shkruar në foton që ka publikuar Kurti në Facebook.
Kujtojmë që Kosova së fundmi po regjistron një numër më të lartë të rasteve të reja të infektuara me koronavirus, krahasuar me muajt e fundit, kur gjendja me pandeminë ishte më e qetë.
Me rritjen e rasteve të infektuara me koronavirus, është rritur edhe numri i rasteve të hospitalizuara.
137 pacientë kanë qenë të shtrirë dje në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme në vend.
Me përhapjen e variantit Delta të COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u kanë bërë thirrje qytetarëve që sa më shpejtë të vaksinohen kundër këtij virusi në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.
Ndërsa, deri tani në vend numri i vaksinave të administruara ka shkuar në 512 mijë e 314.
173 mijë e 214 persona janë vaksinuar me dy doza të vaksinës.