Mobilizimi Shqipëri – Kosovë në Kalimash – Tuneli është i sigurt për çarkullim
Pas mobilizimit edhe të institucioneve të Kosovës në shuarjen e zjarreve në Shqipëri, saktësisht në pjesën veriore të Shqipërisë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë.
Meta ka shkruar se Tuneli i Kalimashit është plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt.
Meta në një postim në rrjetin social Facebook falënderon për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës.
Kryetari i Kukësit, Safet Gjici, ka thënë se situata me zjarret mbetet ende shumë e rëndë dhe vështirë e menaxhueshme teksa era po i favorizon vatrat e zjarrit.
Gjici bëri të ditur se janë duke intervenuar nga toka e ajri për të shuar zjarret teksa me ndihmën e pjesëtarëve të FSK-së dhe zjarrfikësve nga Kosova situata vazhdon të mbetet nën kontroll.
“Falë forcave që erdhën nga Kosova besoj që për dy-tre ditë të arrijmë të lokalizojmë zjarrin në Kukës”, citohet të ketë thënë Gjici.
Ndryshe, mbrëmë pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, përmes një Note verbale, ka përcjell kërkesën te Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit për fikjen e zjarreve masive me të cilat është duke u përballuar Qarku i Kukësit në ditët e fundit.