Sigourney Weaver në bisedime për t'u bashkuar me Star Wars Universe me Mandalorian & Grogu
Fillon trajtimi me Brahi-Terapi për pacientët me kancer
Instituti Onkologjik gjatë këtij viti ka nisur trajtimin me brahi- terapi, për pacientët me kancer.
Ky shërbim ndër vite nuk është ofruar në vend, gjë që pacientët janë detyruar ta marrin jashtë Kosovës.
Drejtori i institutit Onkologjik, Ilir Kurtishi, tha për Radio Kosovën se prej kur ka filluar ky shërbim, janë trajtuar mbi 60 pacientë.
Shërbimi i brahi-terapisë ka filluar për herë të parë në Kosovë këtë vit. Brahi-terapia shërben për trajtimin e pacientëve me kancer, kryesisht femra, që kjo sëmundje malinje i atakon në qafë të mitrës apo vezore.
Trajtimi është mjaft i kushtueshëm dhe për vite të tëra këtë shërbim pacientët janë detyruar ta marrin jashtë Kosovës. Drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, tha për Radio Kosovën se pas marrjes së aparatit rrezatues, me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë të cilët i kanë trajnuar, tashmë kanë filluar me këto shërbime.
’Kemi trajtuar deri në 60 femra prej kur ka filluar ky trajtim. Kjo u bëhet femrave që kanë kancer në mitër e vezore. Pacientet deri tash janë trajtuar jashtë Kosovës, ku kanë paguar për një seancë deri në 1500 euro. Pacienti ka nevojë për së paku tri trajtime, e që kosto ka qenë e lartë për familjen. Tash kryhet pa pagesë në Institutin Onkologjik.’’, tha Kurtishi.
Kurtishi tha se më këtë shërbim është shënuar një hap para, pasi muajt e fundit kjo metodë do të përdoret me gamë të gjerë edhe për lloje të tjera të kancerit.
’’Këtë vit ka kërkesa shumë të mëdha për këtë trajtim, krahasuar me dy vitet paraprake. Të gjithë pacientët, ndonëse në numër të madh, këtë trajtim do ta marrin në vend’’, tha ai.
Njëra nga pacientet, që tashmë është e prekur me kancer në mitër, ka folur për rëndësinë e këtij shërbimi brenda Kosovës.
” Po ndihem shumë mirë kur kam dëgjuar që brahi-terapia po bëhet në Kosovë. Këtë shërbim gjithmonë është dashur ta marrim në Shkup të Maqedonisë, dhe ka kushtuar një seancë deri 1500 euro. Andaj kjo do të thotë më shumë se shumë për pacientet që vuajnë nga kanceri’’, tha ajo.
Sidoqoftë, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, numri i të prekurve me kancer është rritur për 5 për qind, krahasuar me vitin paraprak.