Fragment: Çka shkroi Kolë Berisha në “Ditari i një izolanti” në ditët e diktaturës së Millosheviqit
Kolë Berisha: TË MBIJETOSH PËR KOSOVËN
Kujtesa e shkurtër, e cila na ka karakterizuar në dhjetëvjetëshet e fundit, është ndër shtytësit kyçë për botimin e sërishëm të këtij ditari që regjistroi fillimin e shkatërrimit sistematik të asaj që shqiptarët kishin arritur të ndërtonin me shumë mund e sakrifica në shekullin XX.
I shkruar me një stil të rrjedhshëm, plot detaje e fakte që nuk lënë hapësirë për dyshime, Ditari i një izolanti është rrëfim, edhe pse i personifikuar, që megjithatë përshkruan vuajtjen dhe keqtrajtimin e mbi 200 vetave, viktimave shumë të veçanta të një represioni shtetëror serb shumë specifik.
Fundi i ’80-ave dhe fillimi i ’90-ave tashmë ishin shndërruar në një epokë ogurzezë, kurse Kosova ishte bërë poligoni i eksperimentimeve represive në kohët kur përligjej gjendja e jashtëzakonshme. Gjendje e cila në fakt, tashmë ishte bërë gjendje normale për shqiptarët dhe Kosovën.
Sulmi mbi autonominë e Kosovës dhe krejt institucionet arsimore, kulturore, informative, shëndetësore e të tjera, që i kishin ndërtuar shqiptarët që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kishte për qëllim përfundimtar spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, qoftë ajo me dëbim; shtytje për të gjetur shpëtim në Perëndim apo përfundimisht edhe me vrasje.
Praktika e izolimit të intelektualëve dhe sindikalistëve ishte provuar njëherë më 1981-n, duke pasur për pasojë keqtrajtimin fizik e psikik të atyre që zhdukeshin brenda natës, pa asnjë gjurmë. Qëllimi kishte qenë dobësimi i rezistencës që kishte nisur të shpërthente si dhe frikësimi i të gjithë atyre të tjerëve që mendonin ta luftonin regjimin fashist në ardhje. Porse episodet e herës së parë mbetën thuajse të heshtura, pa asnjë jehonë në opinion dhe kaluan thuajse nuk kishin ndodhur. Herën e dytë dhe në formë më masive, u shfaqën në kohën kur duhej votuar amendamentet kushtetuese me të cilat suprimohej autonomia e Kosovës.
Tashmë Serbia kishte një mbret të ri, Millosheviqin, i cili kishte nisur ta thurte krijimin e Serbisë së Madhe, duke nisur nga vjegëza e parë: Kosova e vogël, e pazhvilluar dhe e pafuqi.“Baza ligjore” kishte qenë neni 53 i Ligjit për Punët e Brendshme, sipas të cilit “veprimtaria e personave që është orientuar ose ekziston dyshim me mbështetje se ajo mund të ketë për pikësynim rrezikimin e rendit publik”, mund të zgjidhej asisoj që këta njerëz të dërgoheshin në “qëndrim në një vend të caktuar”.
Porse në shumicën e rasteve, izolantët u kidnapuan dhe u çuan kryesisht në burgun e qarkut të rajonit të tyre, e prej aty më pas në burgjet nëpër Serbi. Në kohën kur merreshin prej shtëpive, milicët nuk kishin vendime për arrestim e lëre më për izolim.Mos e përlyej murin me gjak – i kishte thënë mjeku kasap Kolë M. Berishës në Leskovc, teksa ua kishte bërë me dije milicëve se mund të vazhdonin ta rrihnin deri në alivanosje, sepse vlerësonte se ende kishte fuqi për ta përballuar rrahjen brutale.
E kishte vlerësuar, bashkë me xhelatët e tjerë, se “krimi” për të cilin akuzohej: refuzimi që t’i ndërrohej emri i shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ku kishte qenë sekretar, meritonte ndëshkimin që do të shërbente si shembull se çfarë mund t’i gjente të gjithë ata që ndanin mendimin me të.Jemi me fat që z. Berisha ta ketë mbajtur ditarin dhe ta ketë “qëndisur” me të gjitha detajet.
Është libër-dokument të cilin duhet ta lexojnë sidomos brezat e rinj, sepse paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë që dëshmon se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ndodhën si rezultat i përpjekjeve, shpesh mbinjerëzore, të patriotëve që nuk luftuan për famë e pasuri, por për mbijetesën dhe mirëqenien e popullit të cilit i takojnë. 29 qershor 2020
Autori, Kolë Berisha, ish-nënkryetar i LDK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës i cili vdiq më 29 Gusht, 2021