Monedha e parë e arit e vërtetë në botë, prezantuar nga lidianët nën Mbretin Croesus
BE për qëndrim pragmatik ndaj talibanëve
Ujdi në takimin e ministrave të Jashtëm të BE në Brdo, Slloveni. Me talibanët do të mbahen marrëdhënie pragmatike, por me kushte të caktuara. Parësor është pengimi i katastrofës humanitare.
Për kreun e diplomacisë europiane, Josep Borrell është një sukses. Ministrat e Jashtëm të BE të premten (03.09) në takimin në Brdo, Slloveni dolën me një qëndrim të përbashkët në lidhje me talibanët. Kemi rënë dakord për kërkesa minimale që ata duhet t’i plotësojnë për një „angazhim operues” të europianëve me pushtetarët e rinj, tha Borrell pas takimit në Brdo. „Afganistani ka rëndësi për sigurinë tonë”, theksoi Borrell, ndër të tjera bëhet fjalë që të pengohet eksportimi i terrorizmit dhe drogës.
Pragmatizmi si lajtmotiv
Gjermania dhe Franca kishin përgatitur një dokument në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm, por dukej se ujdia ishte e qartë që në fillim. Duhen mbajtur „kontakte pune” me talibanët, theksoi ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, duhet punuar me vendet fqinjë të Afganistanit dhe duhet penguar nje krizë e re e migracionit. Kjo ishte edhe çështja që preokuponte më shumë ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, që kërkoi një qëndrim të qartë të përbashkët.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u shpreh, se „ne duam të qartësojmë me talibanët, se cilat janë pritshmëritë tona dhe për këtë kemi rënë dakord”. Sipas Maas bashkëpunimi do të varet nga një sërë kushtesh. Kontaktet me talibanët do të maten me atë, se sa i plotësojnë ata këto kushte, theksoi kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
Përveç kësaj, kërkesa evropiane është që qeveria e re të jetë përfshirëse, por diplomatët pranojnë, se aty me siguri nuk do shihen shumë gra. Ndoshta BE duhet të jetë e kënaqur me përfshirjen e pakicave si Hazara apo lordët e mëparshëm të luftës. Nga ana tjetër duhen respektuar rregullat ndërkombëtare për ndihma humanitare dhe të sigurohet liria e lëvizjes dhe e daljes nga vendi, të atyre që kanë frikë nga përndjekjet.