BE-ja po përpiqet të organizojë takimin Kosovë – Serbi për targat
Bashkimi Evropian u ka transmetuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gatishmërinë për të nisur sa më shpejt dialogun për problemin e targave të automjeteve.
BE-ja, u ka dhënë dy mundësi palëve, që të takohen direkt në Bruksel apo që të negociojnë përmes diplomacisë fluturuese nën drejtimin e emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak.
Siç merr vesh Republika Post nga burimet e saj, Beogradi dhe vet presidenti Vuçiq e ka cilësuar si të papranueshme që nepër territorin e Serbisë dikush të kalojë me autotargat “RKS” (Republika e Kosovës) duke u thënë evropianëve se kjo do të nënkuptonte shkelje të Kushtetutës së Serbisë, marrë parasysh që ky vend nuk e njeh Kosovën e pavarur.
Në anën tjëtër, Prishtina thuhet se ka prezantuar faktet e saj të cilat dëshmojnë se marrëveshja e vitit 2011 e plotësuar me atë të vitit 2016, tashmë ka skaduar. Andaj, sipas Qeverisë së Kosovës, heqja e targave të përkohshme nga pala kosovare është e mundur vetëm nëse edhe Serbia heq obligimin që atje të merren targat “Proba”.
Nëse në Serbia ekzistojnë targat “Proba” në Serbi edhe në Kosovë do të ekzistojnë targat provuese, citohet të ketë thënë Kurti në takimin me zyrtarët e BE-së.
Zyrtarët e BE-së, thuhet se kanë pyetur palët se a mund të jetë kompromos që të dy palët të heqin targat e përkohshme, por që tabelat e Kosovës të mbajnë vetëm mbishkrimin “KS”. Sipas burimeve të njëjta, Beogradi edhe këtë formë e ka refuzuar, kurse Prishtina nuk sheh asgjë jolegjitime që targat të mbeten “RKS”.
Në një situatë të tillë, ishte vet Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell që i ka ftuar palët të dialogojnë, duke treguar gatishmëri për thirrjen e një takimi mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Aktualisht, BE-ja nuk ka marrë ndonjë përgjigje përfundimtare nga palët dhe po pret që të ketë një organizim të mundshëm.
Deri atëherë, BE-ja i ka ftuar si Prishtinën ashtu edhe Beogradin, që të kujdesen maksimalisht që situata të mos eskalojë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.