PDK, LDK e AAK: Kundër vendosjes së KFOR-it në veri/ Marrëveshja barazoi barrikaduesit me Policinë
Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë kritikuar qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur me Serbinë për targat. Njëherësh, vërejtje i kanë shkuar edhe BE-së për barazimin e Njësisë Speciale të Kosovës me protestuesit që barrikaduan rrugëtqë çojnë në Jarinjë e Bërnjak.
Çitaku i reagon Lajçakut: Shqetësuese që Policia e Kosovës të barazohet me huliganët e barrikadave
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se marrëveshja e arritur sot në Bruksel, është e njëjta me atë të vitit 2016-të.
Çitaku i ka reaguar Lajçakut, përmes një reagimi në Twitter ku ka shkruar se kjo marrëveshje e nënshkruar barazon policinë me huliganët që kanë vendosur barrikadat.
“E njëjta marrëveshje ishte arritur në vitin 2016, me disa hapa prapa. KFOR nuk është reaguesi i parë. Dhe, pjesa më shqetësuese, kjo marrëveshje barazon forcat e zbatimit të ligjit në Kosovës me huliganët që ngrenë barrikada”, ka shkruar Çitaku.
LDK: Qeveria barazoi Njësinë Speciale me barrikaduesit e jashtëligjshëm
LDK thotë se ka përcjellur me vëmendje ngjarjet në veri të vendit, që nga dita e parë e deri në ditën e sotme, kur u arrit marrëveshja në Bruksel, transmeton Telegrafi.
Në reagimin e bërë për media, LDK kritikon Qeverinë Kurti për marrëveshje, duke thënë se ka bërë një hap para dhe dy prapa.
“LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë. Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë”, vijon reagimi.
Tutje, në reagim thuhet se “përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa”.
“Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë.
Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot, Qeveria e Kosovës, u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë. Për më tepër, këtë tërheqje e bëri në pajtim me Serbinë që nuk na njeh. Ky vend fqinj, Serbia pra, nga sot jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës. Pra pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në Veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre”, thekson komunikata e LDK-së.
Tutje, LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi.
“Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot. LDK-ja vlerëson se sovraniteti i dorëzuar nuk mund të jetë sovranitet i ushtruar”, thuhet në reagim.
LDK thotë se “marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur ‘marrëveshje e turpit’ nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia”.
Ndryshe, sot i dërguar i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak në një postim në Twitter shkruan se pas dy ditëve të negociatave intensive është arritur një marrëveshje për deeskalim të situatës, ndërsa ka falënderuar Bislimin dhe përfaqësuesin e Serbisë për gatishmërinë për të negociuar.
Haradinaj kundërshton vendosjen e KFOR-it në veri
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të publikojë tekstin e marrëveshjes për targa.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket”.
Kreu i AAK-së më tej ka thënë se janë të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri.
Postimi i plotë:
Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat.
Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket.
Poashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës!
Poshtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën.
Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës.
Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!