Trailer Reunion premton një mister argëtues vrasjeje me Game Night, The Boys & Get Out
Kurti pranon Raportin e Progresit nga BE-ja
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i njohur më herët si Raporti i Progresit, i është dorëzuar sot Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadori Tomáš Szunyog.
“Rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma e arritje të mëdha, por në këta muaj qeverisës ne kemi dëshmuar se jemi në rrugën dhe drejtimin e duhur”, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi se në këtë rrugëtim do të ecim së bashku në partneritet dhe me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.
Në frymën e përkushtimit të fuqishëm të Kosovës ndaj rrugës së saj drejt BE-së, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane si korniza kryesore themelore, qeveria e re ka demonstruar një dinamikë të re të reformave përgjatë gjashtë muajve nga formimi i saj. Kjo dinamikë mund të shihet në reformat të cilat janë indikacion i një baze të fortë të potencialit të Kosovës në zhvillimin e shpejt të saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, shtoi kryeministri.
Në rrjedhën e sqarimit të ambasadorit Szunyog rreth raportit një vjeçar, nga tetori 2020 deri në tetor 2021, kryeministri vuri theksin në pjesën e dytë të tij, në progresin e shënuar në gjashtë muajt e qeverisë së re.
Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve që përbënë progres të madh shoqëror, tha ai.
Kryeministri potencoi progresin dhe rezultatet konkrete në fushën e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratës publike, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe kujdesit social.
Ai veçoi progresin e pamohueshëm në fushën e vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë, duke njoftuar se dje kishim vetëm një rast të ri me COVID-19 dhe asnjë vdekje. Po ashtu dje numri i të vaksinuarve ka mbërritur shifrën e 1.5 milion dozave të administruara, dhe se Kosova mbetet vendi i parë në rajon sa i përket vaksinimit të popullatës.
Duke biseduar për zgjedhjet komunale ku subjektet politike dhe kandidatët garuan me platformat e tyre, në takim u vlerësua se Kosova dëshmoi organizim dhe administrim të mirë, me transparencë të plotë dhe garë demokratike.
Pas takimit, u mbajt konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Shefit të Zyrës së BE/PSBE, Tomáš Szunyog.
Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me z. Szunyog:
I nderuar Ambasador i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Tomáš Szunyog,
Të nderuara media dhe të dashur qytetarë,
Sot kemi pranuar raportin për vendin, i njohur më herët si Raporti i Progresit.
Ky është raporti i parë për ne në Qeveri dhe i cili matë periudhën një vjeçare nga tetori 2020 deri në tetor 2021. Duke qenë se është raport vjetor, ai mat progresin e marrë së bashku në dy gjashtëmujorët para Qeverisë dhe gjatë Qeverisë sonë e të cilët dallojnë si dita me natën.
Në rrjedhën e sqarimit të z. Szunyog rreth raportit njëvjeçar unë detyrimisht do të flas për pjesën e dytë të tij me qeverinë tonë të re, pra për këta gjashtë muaj qeverisjeje në të cilët shënuam shumë progres.
Në fundjavën që lamë pas ne mbajtëm zgjedhjet komunale ku subjektet politike dhe kandidatët garuan me platformat e tyre. Sikurse me 14 shkurt të këtij viti edhe me 17 tetor, Kosova dëshmoi organizim dhe administrim të mirë, me transparencë të plotë dhe garë demokratike.
Vetëm 37 ditë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ne zgjodhëm Kryetarin e ri të Parlamentit dhe Kryeministrin, që ishte koha më e shpejtë e formimit të qeverisë pas ditës së zgjedhjeve që nga viti 2008. Gjithashtu vetëm 13 ditë pas zgjedhjes së qeverisë, zgjodhëm edhe Presidenten e Republikës që është gruaja e dytë presidente, nga një kuvend ku prej 120 deputetëve 41 janë gra e që përbënë mesataren më të lartë mes vendeve Evropiane.
Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve që përbënë progres të madh shoqëror e që do ta kishin zili shumë vende anëtare të BE-së.
Në fushën e sundimit të ligjit në këta gjashtë muaj apo rreth 200 ditë kemi marrë 320 vendime në mbledhjet e qeverisë, prej tyre 60 projektligje, kurse janë miratuar 12 draft ligje, dy koncept-dokumente, një strategji dhe një rregullore.
Kemi miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit, projekt-kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Agjencinë Kundër korrupsion si dhe kemi finalizuar draft-dokumentin për zhvillimin e Vettingut dhe Draftin e Parë të Projektligjit për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikuar, veprime këto që do të forcojnë e avancojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga 1 Prill deri 30 shtator, pra për gjashtë muaj janë realizuar 519 bastisje dhe 283 operacione policore. Nga 23 marsi kur kemi marrë detyrën deri tash kemi shkatërruar 29 grupe kriminale. Po ashtu kemi intensifikuar luftën kundër kontrabandës, evazionit fiskal e kriminalitetit në gjithë territorin e Republikës. Pra rezultate konkrete në këtë gjashtëmujor i cili, siç e thash në fillim, është krejt tjetër nga ai gjashtë mujori i parë.
Në fushën e vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë dje kishim vetëm një rast të ri me COVID-19 dhe asnjë vdekje kurse po ashtu dje numri i të vaksinuarve ka mbërritur shifrën e 1.5 milion dozave të administruara, dhe ne mbetemi vendi i parë në rajon sa i përket vaksinimit të popullatës e që është progres i pamohueshëm.
Siç e dimë ekonomia konkurruese dhe zhvillimi ekonomikë janë kriter i rëndësishëm në avancimin drejt BE-së. Pritjet në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme rreth zhvillimit ekonomik, janë që deri në fund të këtij viti ne do të kemi një rritje mbresëlënëse dyshifrore, e cila do na vendos si shtetin me përqindjen më të madhe në Evropë sa i përket zhvillimit ekonomik. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%. Paralelisht, krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33.5% dhe eksportet për 68%, kurse numri i punëtorëve për periudhën mars – shtator është rritur për 9,351 punëtorë.
Në fushën e administratës publike kemi iniciuar Valën e Parë të Racionalizimit të Agjencive, duke racionalizuar 4 agjenci e gjithashtu kemi miratuar Ligjin për Inspektime që vendos kornizën ligjore për reformën në inspektorate.
Në fushën e zbatimit të rekomandimeve të BE-së kemi themeluar Strukturat Koordinuese Ndërinstitucionale për Procesin e Integrimit Evropian; është rishikuar dhe miratuar Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021- 2025, është rishikuar dhe miratuar Plani i Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane ERA II dhe kemi nisur një sërë reformash që ishin pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për shumë vite por që nuk ishin zbatuar.
– Kemi hequr homologimin për vetura që ishte në fuqi nga viti 2008 dhe në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
– Kemi bërë demonopolizimin e terminaleve doganore, i cili deri kah mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihet në gjithë territorin e vendit.
– Kemi bërë transferimin e 76 inspektorëve komunalë në nivel qendror që ishte kërkesë e Komisionit Evropian që nga viti 2019, e që i hapë rrugë përfitimeve nga fondet e Bashkimit Evropian për këtë sektor.
– Është miratuar Ligji për Tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtëritshme, ligj ky që ishte në procedurë ndryshimi për 12 vite.
Në fushën e punësimit dhe kujdesit social kemi marrë vendime që rrisin barazinë dhe mundësitë përmes shtesave për lehonat, me nga 170 euro në muaj, dhe shtesave për fëmijë me nga 20 euro në muaj, sikurse kemi marrë vendim që arsimi i lartë të jetë falas për të gjithë.
Këto janë vetëm disa nga rezultatet e shumta që kemi shënuar në këtë gjashtëmujor, rezultate këto që ia kemi komunikuar edhe Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë. Natyrisht, rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian kërkon reforma e arritje të mëdha, por në këta muaj qeverisës ne kemi dëshmuar se jemi në rrugën dhe drejtimin e duhur. E në këtë rrugëtim do të ecim së bashku në partneritet dhe me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.