SBASHK-u paralajmëron protesta më 4 dhjetor
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar se më 4 dhjetor do të orgaizojnë protesta për mosmiratimin e ligjit të pagave.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, në janar do të organizojnë edhe grevë.
“Duke e pranuar me kohë mesazhin e prindërve që çdoherë i kanë mbështetur kërkesat tona dhe na kanë lutur që të mos shkojmë menjëherë në grevë sepse po cenohet procesi mësimor i fëmijëve, ne po e përkrahim këtë zë të tyre dhe në bashkëpunim me ju konsideroj se SBASHK-u veprimin e parë sindikal do ta bëjë me protestë të shtunën e 4 dhjetorit me pjesëmarrje të kufizuar”, tha Jashari.
“Opsioni i parë pas 4 dhjetorit do të jetë protestë më masive, që nënkupton se në atë protestë do të jeni ju bashkë me stafin qendror dhe kryetarët e të gjithë shoqatave sindikale të arsimit parauniversitar dhe të universitete”.
“Nëse prapë nuk do të ketë reflektime, atëherë kolegë, pa dëshirën tonë ju ftojmë të bëheni gati për veprime tjera radikale në janar, ta fillojmë grevën”.
“Orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen”.