Rusia akuzohet për ndërhyrje në sistemet GPS të vendeve të Detit Baltik
Sot është protestuar kundër reduktimeve të rrymës, është kërkuar edhe dorëheqja e ministres Rizvanolli
Tashmë ka nisur protesta e paralajmëruar përballë selisë së KEDS-it në kryeqytet, protestë kjo që po mbahet për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike ditëve të fundit.
Nëpërmjet kësaj proteste, organizatorët po kërkojnë energji elektrike 24 orë në shtatë ditë të javës dhe po ashtu shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe , njofton Klankosova.tv.
Ajo që vërehet është se deri më tani, në protestë po marrin pjesë një numër i vogël i qytetarëve, të cilët në duar mbanin pankartën “KEDS t’i kthehet Kosovës”.
Njërja nga organizatorët e kësaj proteste Liridona Sijarinja, tha protesta e sotme i ka tri kërkesa kryesore, ku tha se kërkojnë rrymë 24 orë në shtatë ditë të javës, shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe rikthimin e KEDS-it në pronësi të shtetit.
“Kjo protestë i ka tri kërkesa kryesore që ndërlidhen me atë që duam rrymë 24/7 që është e paraparë edhe me kontratën e KEDS-it, kontratë që KEDS-i nuk po i përmbahet dhe s’po jep llogari për atë se çka është duke ndodhur”.
“Në anën tjetër i kemi dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës, ku e para është që të mbajë përgjegjësi për këtë krizë dhe të ketë një qasje më korrekte ndaj krizës për shkak se ne kemi parë që deklaratat e fundit të qeverisë po janë të atilla që po tentojnë që ta fajësojnë qytetarin për këtë krizë dhe ne jemi të vetëdijshëm se rryma në këto kushte nuk po përdoret për luks, por po përdoret për shërbime esenciale dhe nuk mundet që qeveria të thotë se ne po e përdorim rrymën për komoditet”.
Tutje, ajo tha se deklaratat e Rizvanollit, që sipas saj, mundohet që fajin t’ua lë qytetarëve, janë skandaloze dhe ofenduese.
“Kërkesa tjetër, e që është edhe kërkesë fundamentale e kësaj protestë është se ne po kërkojmë që KEDS-i t’i kalohet në pronësi shtetit. Ne e mbrojmë qëndrimin që procesi i privatizimit të KEDS-it ka qenë thellësisht i padrejtë dhe si i tillë e ka dëmtuar sistemin elektroenergjetik në Kosovë”, është shprehur Sijarinja.
Ajo foli edhe mbi numrin e pjesëmarrësve në protestë, ku tha se nuk janë të kënaqur.
“Numri nuk është i kënaqshëm, pasi ne kemi pritur shumë më shumë qytetarë pasi po e shohim se kriza është kombëtare dhe si e tillë po na afekton secilin prej nesh”, tha ajo.
Kujtojmë se protestë për të njëjtat arsye, dhe me të njëjtat kërkesa do të mbahet edhe përpara Qeverisë së Kosovës.