Scholz kundër një operacioni në Rafah: E papranueshme, sulmi nuk do të ketë fund të
SHBA-ja vendos sanksione ndaj Millorad Dodikut
Departamenti Amerikan i Thesarit, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, për shkak të aktiviteteve korruptive dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Në njoftimin e këtij departamenti thuhet se sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka, për shkak të ndërlidhjes me familjen e Dodikut.
Departamenti i Thesarit në SHBA thotë se aksionet e sotme tregojnë për përkushtimin e administratës së presidentit Joe Biden “për të promovuar llogaridhënien për ata që, mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.
“[Millorad] Dodik ka minuar institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke nisur krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, për të krijuar pasuri personale përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse etno-nacionaliste reflekton përpjekjet e tij për të arritur këto qëllime politike dhe për të tërhequr vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, duke rrezikuar kështu stabilitetin më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij departamenti.
Bazuar në vendimin e sotëm, të gjitha pronat dhe intereset në prona të individëve dhe subjekteve të përfshira në këto sanksione që janë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll të qytetarëve amerikanë bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Pasurive të Huaja në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.
Gjithashtu, bllokohet edhe çdo subjekt që është në pronësi, të drejtpërdrejtë ose jo, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar.
Po ashtu, personave dhe subjekteve të sanksionuara iu ndalohen të gjitha transaksionet me qytetarët amerikanë.