AI ndihmon në zbulimin e mistereve të viruseve në oqeane dhe zorrët tona: ScienceAlert
Mehaj për Bazën e Kuçovës në Shqipëri: Me SHBA-në dhe NATO-n jemi më të fortë kundër atyre që na kërcënojnë
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se bashkë me SHBA-në dhe NATO-n jemi më të fortë kundër të gjithë atyre që kërcënojnë dhe rrezikojnë vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë kudo në botë.
Këto deklarata ai i bëri pas nisjes së punimeve për shndërrimin dhe modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës në Shqipëri në Bazë Ajrore të NATO-s.
“Nisja e punimeve sot për shndërrimin dhe modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës në Shqipëri në Bazë Ajrore të NATO-s është edhe një dëshmi e fuqishme e përkushtimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj të NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe më gjerë. Orientimi i qartë euroatlantik i kombit dhe shteteve tona për NATO-n e fuqishme, konfirmon besimin e plotë të ndërtuar natyrshëm mes nesh dhe aleatit të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” shkroi Mehaj në një postim në Facebook.
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të transformohet përmes një investimit 50 milionë eurosh për ta përshtatur atë me standardet e bazave të këtij lloji të Aleancës.
Investimi është i NATO-s, ndërsa sipas projektit, në përfundim të investimit, në Kuçovë mund të veprojnë me periodicitet deri në gjashtë avionë luftarakë.
Shifra është zbuluar nga një postim i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
“Po bëjmë një aleancë të fortë akoma edhe më të fortë! Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim mori sot pjesë në një ceremoni në bazën ajrore të Kuçovës, me rastin e fillimit të një projekti rindërtimi prej 50 milionë eurosh të NATO-s. Gjatë viteve të ardhshme, NATO do të financojë rinovimet dhe ndërtimin e plotë në bazën ajrore të Kuçovës. Pas përfundimit, baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Begaj mbajtën të gjithë fjalën e rastit, duke pohuar se ky është një tjetër hap në rritjen e rolit të Shqipërisë si anëtare e aleancës”, thuhet në postim