Ukraina kërkon të mbahet takimi Zelensky – Putin
Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë pritet të zhvillojnë sot një rund të ri bisedimesh për paqe.
Dmitry Peskov, negociator i Rusisë dhe sekretar për media i presidentit rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se bisedimet do të zhvillohen përmes video-konferencës.
Mykhailo Podolyak, negociator i Ukrainës dhe këshilltar i presidentit të këtij vendi, Volodymyr Zelensky, e konfirmoi deklaratën e Kremlinit.
Në një video të postuar në mediat sociale, Podolyak tha se Rusia po fillon të angazhohet në mënyrë konstruktive në bisedime.
“Rusia tani e percepton në mënyrë shumë më adekuate botën përreth saj. Ajo është shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit të Ukrainës, që është dëshmuar në fushën e betejës, dhe në veprimet e Ukrainës në drejtim të mbrojtjes së interesave të saj”, tha Podolyak.
Të dielën, Zelensky tha se delegacioni i tij është në bisedime me homologët rusë çdo ditë.
“Delegacioni ynë ka një detyrë të qartë – të bëjë gjithçka për të siguruar një takim të presidentëve. Takim që jam i sigurt se njerëzit po e presin”, tha Zelensky në një video-adresim.
Rusia ka thënë më herët se Kremlini nuk do të refuzonte një takim të tillë, për të diskutuar çështje “specifike”, por nuk ka pasur detaje të mëtejshme në këtë drejtim.
Zelensky përsërit thirrjet për zonë ndalim-fluturimi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri sërish thirrje udhëheqësve të NATO-s që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.
“Nëse nuk e mbyllni qiellin tonë, është çështje kohe kur raketat ruse do të bien në territorin tuaj, në territorin e NATO-s”, tha Zelensky në një video-adresim të postuar në mediat sociale.
Thirrja e tij vjen pasi raketat ruse qëlluan të dielën një bazë stërvitore ushtarake në Javoriv të Ukrainës.
Lokacioni ndodhet 25 kilometra larg Polonisë – vend anëtar i NATO-s.
Zyrtarët ukrainas thanë se së paku 35 njerëz u vranë dhe 134 u plagosën në sulm.
SHBA-ja e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi, siç ka thënë, kjo mund të nënkuptojë që forcat e NATO-s t’i rrëzojnë aeroplanët rusë.
Sipas presidentit amerikan, Joe Biden, kjo do ta përkeqësonte situatën në shkallën e një lufte të tretë botërore.
Ambasada amerikane u bën thirrje amerikanëve të largohen nga Ukraina
Ambasada amerikane në Kiev u bëri thirrje edhe një herë qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina, pasi, siç tha, sulmet e vazhdueshme ruse e kanë bërë situatën e sigurisë “të dhunshme dhe të paparashikueshme”.
Në një postim në Twitter, ambasada paralajmëroi qytetarët e mbetur amerikanë në Ukrainë që t’i “mendojnë me kujdes” rrugët dhe rreziqet e udhëtimit, pasi, sipas saj, rrugët mund të jenë të mbushura me njerëz dhe të ekspozuara ndaj operacioneve luftarake.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në janar se nuk ka të dhëna të sakta të numrit të përgjithshëm të amerikanëve në Ukrainë, përveç personelit të mbetur të Qeverisë amerikane.