Shtëpia e Bardhë tregon rreth takimeve të këshilltares së Bidenit me Osmanin e Kurtin
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar sot për vizitën e Liz Sherwood-Randall – këshilltare e presidentit amerikan Joe Biden për Sigurinë Kombëtare, duke thënë se gjatë qëndrimit në Kosovë ajo ka përsëritur përkushtimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës.
Në komunikatën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë të cilën e përcjell Ambasada Amerikane në Kosovë, theksohet se gjatë kësaj jave këshilltarja e presidentit Biden, Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion amerikan në Kosovë dhe u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe vizitoi Kampin ‘Liya’ dhe Kampin Bondsteel.
“Sherwood-Randall përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës, siç tregohet përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e Forcës së Kosovës (KFOR) të NATO-s dhe furnizimit thelbësor për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ndërsa vazhdon planin 10 vjeçar të tranzicionit”.
“Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella për Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve të rrezikuar në Kampin ‘Liya’, derisa ata të vendosen në shtëpitë e ardhshme, për partneritetin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe solidarizim me popullin ukrainas”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë./