S’ka votime në Kosovë, serbët nisen me autobusë për të votuar në Serbi
Qytetarët serbë përmes transportit të organizuar janë nisur sot në mëngjes nga veriu i Mitrovicës për në Rashkë, ku do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.
Shumë prej tyre janë nisur nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, mirëpo për t’iu shmangur tollovisë, ka edhe lokacione tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë spitali i përgjithshëm në veri, pastaj ndërmarrja Trepça në Zveçan etj.
Ka qytetarë të cilët kanë vendosur të shkojnë edhe me automjetet e tyre private.
Rashka është një nga katër komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Transport iu është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.
Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.
Policia e Kosovës tha se për shkak të qarkullimit të shtuar të qytetarëve serbë që po shkojnë në Serbi për të votuar, janë krijuar kolona dhe pritje në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Ndërkaq, sa i përket aspektit të sigurisë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, Policia e Kosovës tha se situata është e qetë dhe stabile.
“Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar”, u tha në njoftimin e Policisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, kjo kërkesë nuk është pranuar nga autoritetet në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se me këtë kërkesë, Kurti ka dashur që Serbia ta njohë Kosovën.
Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjimin e madh” për vendimin e Qeverisë së Kosovës që mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Kosova ka refuzuar edhe një propozim të Quint-it.