“Buzëqeshin” Milani dhe Juventusi, Zirkzee kushton më pak seç mendohej
Vuçiq: S’ka dialog real me Kurtin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia s’ka çka të presë asgjë të mirë nga bisedimet me Kosovën. Në një konferencë për media të shtunën, pasi Serbia kreu ushtrime ushtarake në Batajnicë, Vuçiqi ka thënë se “nuk ka dialog real” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Jo me dëshirën tonë, jo me vullnetin tonë, por me të atyre që as që mendojnë se s’i do t’i përmbushin ato që i nënshkruan para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiqi duke shtuar se askush s’po e detyron Kosovën të respektojë marrëveshjet. “Qëllimi i tyre është të dëbojnë serbët nga veriu ose t’i detyrojnë të pajtohen me pavarësinë”.
Sipas tij, dialogu është kthyer në “urdhra ndaj Serbisë, të cilëve s’mund t’u përmbahet për shkak të Kushtetutës dhe qëndrimit të saj”.
“Kam qenë gjithmonë përkrahës i madh i dialogut, por dialogut real. Kemi pasur dialog real. Sot me Kurtin, ai dialog nuk ekziston fare”, ka thënë Vuçiqi, raporton “N1”.
Ai ka komentuar edhe ftesën e kancelarit gjerman Olaf Scholz për takim në Berlin më 4 maj. Ftesë nga Scholzi ka marrë edhe Kurti. Vuçiqi ka thënë se pret t’i dëgjojë të gjitha kundërshtimet gjermane ndaj qëndrimeve të Serbisë.
“Kjo është e gjitha që pres. As keq, e as mirë. Është shans i mirë të tregojmë pikëpamjet tona. Por a do t’ia ndryshojmë qëndrimin Gjermanisë për Kosovën – sigurisht që jo. A do t’ia ndryshojmë qëndrimin për pozicionin e tyre për sanksionet ndaj Rusisë – është e sigurt që s’mund t’ia dalim”, ka thënë Vuçiqi.
Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe shkrimin e senatorit Chris Murphy që një ditë më herët nxori prapaskenat nga takimet e mesit të prillit. Murphy kishte thënë se ka marrë porosi nga Vuçiqi që ta thërrasë pas 60 ditësh për të dëgjuar qëndrimin e tij. Vuçiqi ka thënë se porosia s’ka pasur të bënte me qëndrimin për sanksionet ndaj Rusisë, duke shtuar se “bëhet fjalë për projekt specifik”, të cilin e ka mbajtur të fshehtë.
Vuçiqi e Kurti s’kanë pasur takim në nivel të lartë që nga vera e vitit të shkuar. Së fundmi janë shtuar thirrjet e ndërkombëtarëve për takim të tillë, ndërkaq nuk është bërë e ditur nëse në Berlin do të ketë takim trepalësh me Scholzin. Dihet që në të njëjtën ditë do të ketë takime edhe me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.