Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Sipas presidentit amerikan, kriza në Ukrainë është një çështje globale
Presidenti i SHBA Joe Biden është shprehur se kriza në Ukrainë ishte një çështje globale që rriti rëndësinë e ruajtjes së rendit ndërkombëtar, integritetit territorial dhe sovranitetit.
Komentet e Biden-it vijnë një ditë pasi ai prishi konventën dhe vullnetarisht dha mbështetjen ushtarake të SHBA për Tajvanin, ishullin e vetëqeverisur të pretenduar nga Kina.
Për krizën në Ukrainë në takimin e katërt të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Indisë dhe Australisë, Biden tha se kjo është më shumë se një çështje evropiane, por një çështje globale. Presidenti theksoi se Washingtoni do të qëndrojë me aleatët e tij dhe do të nxisë një rajon të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor.
“E drejta ndërkombëtare, të drejtat e njeriut duhet të mbrohen gjithmonë, pavarësisht se ku shkelen ato në botë”.- përfundoi ai.
Tragjedi në komisariat: Polici vret kolegun me armë, e bullizonte prej kohësh
Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, ku një punonjës policie ka vrarë me armë zjarri kolegun e tij, pas një konflikti të ndodhur në sallën e mbledhjeve. Fatkeqësisht, punonjësi i policisë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Sipas të dhënave të para, thuhet se në vendngjarje janë dëgjuar gjashtë të shtëna.
Të dy personat e përfshirë në ngjarje janë policë të patrullës së përgjithshme, ndërsa viktima ishte në prag pensioni. Autori ka një vit e gjysmë në polici, kurse viktima ushtronte detyrën prej mbi 20 vitesh.
Dyshimet e para janë se arsyeja e acarimit të të riut ishte se viktima e bullizonte prej kohësh. Ai fillimisht e ka qëlluar tre herë, më pas ka hyrë në komisariat dhe e ka qëlluar edhe tre herë të tjera duke e lënë të plagosur rëndë.
Brenda pak ditësh, BE-ja do të vendosë embargo ndaj naftës ruse
Bashkimi Europian është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për të vendosur embargo ndaj importeve të naftës ruse. Një deklaratë e tillë erdhi prej ministrit gjerman të Ekonomisë, Robert Habeck i cili njoftoi se kjo pritet të ndodhë brenda disa ditësh, duke shtuar se embargoja nuk do ta dëmtonte menjëherë Rusinë pasi rritja e çmimeve globale të naftës, ka bërë që Moska të fitojë më shumë për vëllime më të ulëta.
Rreth 40% të gazit natyror, Bashkimi Europian e importon nga Rusia, teksa Moska përfiton 400 miliardë euro për këtë furnizim.
BE-ja ka njoftuar gjithashtu plane afatgjata për t’u zhvendosur në burimet e energjisë së rinovueshme për të mos u mbështetur plotësisht te nafta dhe gazi rus.
Starbucks tërhiqet nga tregu rus pas 15 vitesh
Kompania gjigante e kafesë, ka ndaluar aktivitetin e saj në Rusi, duke konfirmuar se do tërhiqet përfundimisht nga tregu rus.
Starbucks thotë se ka 15 vjet që operon në Rusi dhe tani ka mbyllur 130 kafenetë e saj të licencuara në vend. Starbucks i bashkohet kompanive të tjera si McDonald’s dhe Exxon Mobil që hoqën plotësisht biznesët nga Rusia.
Starbucks thotë se do të “mbështesë” rreth 2 mijë punëtorët e saj në Rusi, duke përfshirë pagën për gjashtë muaj dhe ndihmën nga partnerët për të kaluar në mundësi të reja jashtë Starbucks.
Kjo vjen pasi CEO i Starbucks Kevin Johnson tha në mars se kishte pezulluar të gjithë aktivitetin e biznesit në Rusi, duke përfshirë dërgimin mbrapsht të të gjithë produkteve të Starbucks.
Kafenë e parë, Starbucks e hapi në Rusi në 2007-ën dhe deri këtë mars, zotëronte 130 lokacione të ndryshme në të gjithë Rusinë.
Burimi: BBC, CNN, Top Channel
Source link