Në Kosovë duhani i “djeg” 250 milionë euro në vit
Duhani konsiderohet një ndër shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve në botë. Pavarësisht dëmeve që ai shkakton, numri i duhanpirësve vazhdon të jetë i lartë. Kësisoj edhe në Kosovë rreth 250 milionë euro u shpenzuan nga qytetarët për duhan. Madje edhe ligji që parandalon konsumimin e tij në hapësira të mbyllura nuk po respektohet shumë kohët e fundit.
Nga profesionistët shëndetësorë në ditën ndërkombëtare pa duhan diskutuan për dëmet shëndetësore që sjell konsumimi i tij.
Rreth 250 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për duhan. Krejt këto para u kanë sjellë atyre dëme në shëndet duke pasur parasysh faktin se konsumimi I tij sipas profesionistëve shëndetësorë sjell dëme të mëdha shëndetësore. Edhe përkundër masave preventive bizneset por edhe qytetarët në Kosovë vazhdojnë të mos e respektojnë ligjin për pirjen e duhanit i cili ndalohet në ambiente të mbyllura.
Për këtë çështje kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku tha se kanë bërë qindra inspektime duke shqiptuar edhe gjoba.
“Kemi shqyrtuar gjoba për personat fizikë dhe juridikë, por duke e parë trendin e moszbatimit dhe duke i targetuar të gjitha subjektet, të cilat janë shkelëse permanente, me theks të veçantë kafenetë e ndryshme, gjatë këtyre katër muajve kemi bërë rreth 760 inspektime, me theks të veçantë tek operatoret e bizneseve te kafe baret, ku në 10% të këtyre inspektimeve kemi shqiptuar gjoba për mos respektim të ligjin për kontroll të duhanit”, tha Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor sanitar
Për këtë temë sot u diskutua edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit publik ku u shënua dita botërore pa duhan. Aty u fol për rrezikun që shkakton duhani derisa u bë thirrje që të respektohet ligji.
“Duhanpirësit janë dukshëm dy herë më të rrezikuar nga sulmi në tru. 4 herë nga sulmi në zemër se sa joduhanpirësit. 22 herë më shumë gjatë ka gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive se sa jo duhanpirësit. Rreth 25% të të gjitha vdekjeve nga kanceri globalisht shkaktohen nga përdorimi i duhanit. Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme dhe shkaktari i dytë i vdekjeve në botë”, tha Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të shëndetit Publik
”Si ministri kemi proceduar këtë muaj me dy udhëzime administrative që burojnë nga ligji për kontrollin e duhanit”, tha pos tjerash Dafina Gexha, Bunjaku, zëvendësministre e shëndetësisë.
Për pasojat e duhanit flasin edhe statistikat në nivel global. Çdo vit në botë vdesin rreth 8 milionë njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit.