Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Testimi i raketave bërthamore nga Koreja e Veriut: SHBA paralajmëron se “do të përgjigjet”
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj do të përgjigjeshin me shpejtësi nëse Koreja e Veriut vazhdon me prova bërthamore, por insistoi se dialogu është ende opsioni më i mirë.
“Ne jemi në kontakt shumë të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, duke filluar me Republikën e Koresë – gjithashtu me Japoninë dhe të tjerët – për të qenë në gjendje të përgjigjemi shpejt nëse koreano-veriorët vazhdojnë me një provë të tillë. Ne jemi të përgatitur të bëjmë rregullime afatshkurtra dhe afatgjata në pozicionin tonë ushtarak, nisur nga nevoja sipas rastit,”- u shpreh Blinken.
Ai shtoi se nëse Koreja e Veriut ndërmer një provë tjetër bërthamore, do të duhet që parandalimi dhe sanksionet ndërkombëtare të forcohen edhe më.
Koreja e Veriut ka kryer të paktën 18 raunde të testeve të armëve gjatë këtij viti, duke shfaqur zhvillimin e arsenalit të raketave bërthamore.
Në testimin e fundit, Koreja e Veriut lëshoi tetë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake.
Filipina mbulohet nga retë e hirit: Shpërthen vullkani
Në lindje të Filipineve, disa qytete janë mbuluar komplet nga hiri pas shpërthimit të ri të vullkanit. Shpërthimi, i ndodhur dje (e hënë) zgjati 18 minuta, mjaftueshëm për të lëshuar hi të dendur në qytezat që sapo kishin nisur të rimëkëmbeshin nga shpërthimi i tij i mëparshëm, ai i javës së shkuar.
Sipas autoriteteve vendase, lumi është mbushur me hi dhe është thuajse e pamundur të shohësh ç’ndodh përreth. Për pasojë deri më tani, dy kamionë janë përplasur me njëri-tjetrin.
Gruaja që shkroi guidën “si ta vrasësh burrin” dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortit
Nancy Crampton-Brophy, autorja e esesë “Si të vrasësh bashkëshortin” është dënuar me burgim të përjetshëm pikërisht për vrasjen e të shoqit.
71-vjeçarja u dënua në maj për vrasje të shkallës së dytë për vdekjen e bashkëshortit të saj, kuzhinierit Daniel Brophy në qershor 2018, i cili u qëllua për vdekje në shkollën e kuzhinës ku jepte kurse gatimi. Në dokumentet e gjykatës, prokurorët thanë se 63-vjeçari ishte qëlluar dy herë — një herë në shpinë teksa qëndronte në kuzhinë dhe më pas në gjoks nga afër.
Dyshja njihej për shumat e parave të marra borxh, ndonëse autorja mohon vrasjen e tij. Në gjykatë, ajo tha se ishte thjesht rastësi që automjeti i saj ishte parë jashtë ambienteve të shkollës ku punonte i shoqi.
Autoritetet thanë në gjykatë se autorja e ndoqi burrin e saj në punë dhe e qëlloi me pistoletë të posaçme për t’i shpëtuar gjurmëve. Kërkimet e armëve i kishte bëre teksa shkruante për librin në fjalë, të publikuar në 2011-ën.
Sipas Zelensky-it, beteja në Donbas është një prej më të tmerrshmeve
Gjatë komunikimit të tij të fundit publik, presidenti i Ukrainës, e quajti betejën për Donbasin si një prej më të dhunshmeve në Europë.
“Kostoja njerëzore e kësaj beteje është shumë e lartë për ne. Është e tmerrshme, Kemi të bëjmë me të keqen absolute. Dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ecim përpara dhe të çlirojmë territorin tonë”.
Prej javësh tashmë, qyteti në lindje të vendit, Severodonetsk ka qenë në fokus të bombardimeve ushtarake ruse në Ukrainë. Raportet sugjerojnë se rreth 70% e qytetit është aktualisht nën kontrollin rus.
Ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksiy Reznikov javën e kaluar tha se gati 100 nga trupat e tij po vdisnin çdo ditë dhe 500 pësonin lëndime në luftimet intensive kundër trupave ruse.
Burimi: CNN, BBC
Source link